Lajme

Musmurati: Me dashuri do të vazhdojmë shërbimin për Prishtinën


Ish nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu dhe ish drejtoresha e Arsimit, Besianë Musmurati.

Ish drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, Besianë Musmurati, pas prishjes së koalicionit mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se do të vazhdojë të shërbejë për Prishtinën.

Musmurati, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, i ka konsideruar “ditë përmbushëse”, ato të cilat kanë qenë në shërbim si drejtore e Arsimit në Prishtinë.

“Ka ditë që po mbledh copëza të kujtimeve për të bërë një postim lamtumirës e falënderues për komunitetin arsimor të Prishtinës. Çfarë kënaqësie me i pa fotot në telefon të ditëve më përmbushëse të jetës sime, atyre të shërbimit si Drejtore e Arsimit në Prishtinë”, ka shkruar Musmurati.

“Takime të përzemërta me nxënës, mësimdhënës, prindër e drejtorë shkollash. Përurime të shkollave të reja, fillim ndërtimesh, orë të kodimit, renovime pa fund, orë të leximit, plan të sigurisë, yoga me fëmijë, dollapë të rinj, kamera në shkolla, psikologë të rinj, biblioteka të reja, trajnime të ndryshme, rekrutime meritore, kabinete të reja, e në mes, shumë përqafime e ngrohtësi”.

Ajo tutje ka falënderuar Prishtinën për mundësine e dhënë, duke thënë se ka bërë përpjekje që ta kryej detyrën më shumë përkushtim, dashuri dhe pozitivitet.

“Falemnderit stafit të mrekullueshëm të Drejtorisë së Arsimit, asamblistëve, mësimdhënësve, drejtorëve, prindërve e nxënësve që më mbështetën në çdo hap e që bashkë e ringjallëm arsimin në Prishtinë”.

“Siç e kam thënë gjithmonë: Nuk do të ankohemi e nuk do të shohim mbrapa, por me dashni do të vazhdojmë shërbimin për Prishtinën!”.

Më 8 shkurt, kryetari i degës së Partisë Demoratike të Kosovës në Prishtinë njëherësh edhe nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se pas shfuqizimit të vendimit për këmbim të pronave në Badovc, është prishur koalicioni qeverisës në Komunën e Prishtinës mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore