Lajme

Musliu, Kurtit: A e themeluat Komisionin për Shëndetësi vetëm për ta larguar ministrin Latifi?


Albin Kurti dhe Ganimete Musliu.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka kërkuar sqarim nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti lidhur me rezultatet që ka sjell deri tani Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi i formuar nga vetë ai, duke e pyetur se “a është themeluar ky komision vetëm për të larguar ish ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifi”.

Sipas Musliut, gjendja në spitalet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është e mjerueshme.

Kërkesë e saj ishte që kryeministri t’i ndaloj talljet me qytetarët.

“Kryeministër ti je mësuar të bësh hajgare me qytetarët e vendit. Qytetarët e Republikës së Kosovës kërkojnë veprime, jo fjalë në spitale nuk ka as penjë. Ndali talljet sepse gjendja në shëndetësi, është jashtëzakonisht e rëndë dhe e papërballueshme për qytetarët të cilët kanë nevojë për shërbime spitalore”, tha Musliu.

Deputetja e PDK-së e ka pyetur kryeministrin edhe lidhur me mosmbajtjen e takimeve në Komision.

Kurti u përgjigj duke thënë se takimet janë mbajtur mes anëtarëve me fokus në buxhet për vitin 2023.

“Në fund të vitit të kaluar ka pasur shumë takime të anëtarëve të Komisionit që ka rezultuar edhe me buxhetin më të lartë prej rreth 300 milionë eurove prej të cilave rreth 20 mijë apo 60 milionë janë për listën esenciale të barnave. Pra, kanë vazhduar takimet midis këtyre anëtarëve por kanë qenë të përqendruara kryesisht në buxhetin për vitin 2023”.

Kryeministri nga foltorja e Kuvendit të Kosovës tregoi edhe disa “avancime” që konsideron se kanë ndodhur nga ky komision.

E rrugës së duhur sipas Kurtit, do të ishte që të përgjigjet ministri Vitia por që nuk është lejuar me rregullore.

“Përgjegjësitë e Komisionit janë analiza dhe definimi i ndarjes publiko-privat në Shëndetësi dhe këtu po i përmendi vetëm kryesoret. Rregullorja për shtesat për profesionistët shëndetësorë ata qa punojnë vetëm në sektorin publik, rritja e kapaciteve monitorues përmes rritjes së numrit të inspektive për inspektorë dhe rritja e inspektorëve 44 për vitin 2023”.

Ai pohoi se ligji për Shëndetësi dhe ai për sigurime shëndetësore do të finalizohen në fund të vitit 2023.

“Tema të tjera të cilat do të adresohen përmes ligjit për Shëndetësi dhe ligjin për sigurime shëndetësore të cilat këtë vit do të finalizohen”.

“Ka vazhduar puna në fuqizimin e Sishit duke filluar nga KPSHJA sionizmi i të cilit do të lansohet në katër komuna me qëllim që secili qytetarë të përzgjedh mjekun familjar dhe në qershor të këtij viti do të përfundoj studimi i fizibilitetit për Sishin dhe në bazë të rekomandimeve do të investohen në tërë sistemin shëndetësorë përfshirë edhe në atë privat”.

Tutje kryeministri ka sqaruar se njëra ndër përgjegjësit e Komisionit ka qenë edhe reformimi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) e që deri tani nuk është bërë.

“Përgjegjësia shumë e rëndësishme e komisionit ka qenë edhe reformimi i SHSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale statusi i SHKUK-së është në fazën përfundimtare dhe shumë shpejt do të nënshkruhet dhe si derivat i tij është duke u hartuar edhe statuti i QKUK-së që i jep mundësinë e fuqizimit operacional”.

14 shtatori, ishte dita kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte vendosur të themeloj Komisionin Ekzekutiv të Shëndetësisë.

“Si kryeministër propozoj që të themelohet komisioni ekzekutiv për shëndetësi. Ky komision ka këto përgjegjësi: e para të bëjë analizën dhe ndarjen bashkëpunimit publiko privat. Reformimin e SHSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale, zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë, themelimin e spitalit rajonal të Prishtinës”, kishte deklaruar Kurti.

Kurti përmes levave kishte kërkuar të hartoheshin disa urdhëresa të cilat nga Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësorë në QKUK konsideroheshin diskriminuese për “infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësorë në QKUK”.

Disa nga këto rregulla ishin edhe kontrollimi i punëtorëve shëndetësorë përmes pajisjeve teknologjike me pretendimet se deri tani është abuzuar me pauzat dhe oraret e punës.

Tjetër urdhëresë absurde ishte që “infermieri të shkruhet në hyrje/dalje nga dhoma e pacientit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore