Lajme

Musliu: Kurti betejën e vetme e ka me vetveten


Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në raport me punëtorët e administratës publike dhe ndaj mediave.

Musliu, në foltoren e Kuvendit të Kosovës, deklaroi se qytetarët nuk janë duke parë asnjë progres nga kjo qeverisje.

“Nga një qeveri që për dy vjet e gjysmë nuk ka shënuar asnjë sukses, nga një qeveri që ka izoluar vendin në agjendën ndërkombëtare, nga një qeveri që propagandën e ka shuajt për mëngjes, drekë e darkë. Nga një Qeveri inatçore dhe mashtruese”, deklaroi Musliu.

Sipas saj, rruga që është aktualisht kryeministri i Kosovës vetëm se e dërgon atë në një krizë tjetër.

Në kriza të cilat thotë nuk mund ta shpëtoj askush.

“Në rrugën që ka hyrë Albin Kurti, duke kaluar nga kriza në krizë për ta mbuluar paaftësinë e tij qeverisëse, s’mund ta shpëtojnë as militantet e frustruar të Vetëvendosjes qoftë në kabinetet qeverisëse, qoftë në rrjete sociale”.

“E nuk mund ta shpëtojnë as kabineti i ministrave horror të cilët janë të gatshëm të qëndrojnë një këmbë, vetëm për të ia mbajtur zhagun Albin Kurtit dhe që ai të jetë i vetëkënaqur me vetën e tij”.

Madje, Musliu konsideron që Kurti, jo vetëm se e ka humbur betejën me shoqërinë, por edhe me vetveten.

“Fatkeqësisht Albini Kurti, e ka humbur betejën me çdo pjesë të shoqërisë në Kosovë, betejën e vetme ai sot e ka me vetveten. Prandaj, ndaleni dhunën ndaj administratës, ndaleni terrorin ndaj administratës. Kosova nuk e meriton një qeverisje të tillë.

Ajo tutje ka ripërsëritur thirrjen e saj që Qeveria të ndal sjelljen që konsideron që është e patolerueshme ndaj punëtorëve të Administratës.

“Sot dua t’i bëj thirrje Qeverisë që ta ndal dhunën dhe presionin ndaj punëtoreve të Administratës e ndaj mediave sepse Kosova po zbrazet, njëra nga arsyet e zbrazjes së Kosovës është diktatura e instaluar në institucionet e Kosovës nga ministrat e paaftë. Kosovës sot po i ikin kuadrot më të mira”.

Ndryshe, në këtë seancë ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, është thirrur në interpelancë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për rishikimin e buxhetit dhe rritjen e pagave në sektorin publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore