Aplikacione

Musk kërkon të zhvendosë gjyqin nga San Francisko se nuk mund të ketë gjykim të drejtë


Elon Musk i ka kërkuar një gjykatësi federal që të zhvendosë një gjyq jashtë San Franciskos me argumentin se mbulimi negativ i mediave lokale mund të ndikojë në njëanshmërinë e trupës gjykuese kundër tij.

Në një dosje të dorëzuar më pak se dy javë përpara se gjyqi të fillonte më 17 janar, avokatët e Musk argumentojnë se ajo duhet të zhvendoset në gjykatën federale në distriktin perëndimor të Teksasit.

Dhe ky distrikt përfshin kryeqytetin shtetëror të Austin, ku Musk zhvendosi kompaninë e tij të makinave elektrike, Tesla, në fund të vitit 2021.

Sakaq, padia e aksionerëve buron nga tweet-et e Musk në gusht 2018, kur ai ka thënë se kishte financim të mjaftueshëm për ta marrë Tesla-n privatisht me 420 dollarë për aksion.

Një njoftim që shkaktoi paqëndrueshmëri të madhe në çmimin e aksioneve të firmës.

Në një fitore për aksionerët pranverën e kaluar, gjykatësi Edward Chen vendosi që postimet e Musk në Twitter ishin të rreme dhe të pamatura.

Nëse lëvizja e gjyqit nuk është e mundur, avokatët e Musk duan që ai të shtyhet derisa publiciteti negativ në lidhje me blerjen e Twitter nga miliarderi të jetë shuar.

“Për disa muajt e fundit, media lokale e ka ngopur këtë qark me histori të njëanshme dhe negative për Musk-un”, ka shkruar avokati Alex Spiro në një dosje gjyqësore.

Këto lajme kanë fajësuar personalisht atë për pushimet nga puna të fundit në Twitter dhe kanë akuzuar se shkurtimet e vendeve të punës mund të kenë shkelur edhe ligjet, sipas tij.

Kurse avokatët e aksionerëve kanë ravijëzuar kohën e kërkesës në minutën e fundit, duke thënë se “shqetësimet e Musk janë të pabaza dhe mocioni i tij është i pabazë”.

Po ashtu deklarimi nga avokatët e Musk vë në dukje se Twitter ka pushuar nga puna rreth një mijë banorë në zonën e San Franciskos që kur ai bleu kompaninë në fund të tetorit.

“Një pjesë e konsiderueshme e trupit gjykues ka të ngjarë të ketë një paragjykim personal kundër Musk si rezultat i pushimeve të fundit nga puna në një nga kompanitë e tij”, thuhej në dosje.

Referuar dosjes, Musk është kritikuar gjithashtu nga kryetari i bashkisë së San Franciskos dhe zyrtarë të tjerë lokalë për shkurtimet e vendeve të punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore