Aplikacione

Musk kërkon të mbledhë 3 miliardë dollarë për të shlyer borxhin e Twitter-it


Ekipi i Elon Musk ka eksploruar përdorimin e deri në tre miliardë dollarëve në mbledhjen e fondeve të reja për të ndihmuar në ripagimin e disa prej 13 miliardë dollarëve të borxhit për blerjen e Twitter-it.

Kështu kanë bërë me dije burime të njohura me çështjen për të përditshmen “The Wall Street Journal”.

Në dhjetor, përfaqësuesit e Musk-ut diskutuan shitjen deri në tre miliardë dollarë në aksione të reja në Twitter.

Ekipi i Musk-ut u ka thënë njerëzve të njohur me financat e kompanisë se një rritje e kapitalit, nëse është e suksesshme, mund të përdoret për të paguar një pjesë të borxhit që mbart normën më të lartë të interesit brenda paketës së huasë.

Ndërkohë, shlyerja e borxhit do të siguronte lehtësim të mirëpritur financiar për Twitter-in, i cili ka luftuar për të mbajtur reklamuesit në platformë.

Në nëntor, Musk tha se Twitter-i kishte pësuar një rënie masive të të ardhurave dhe po humbte mbi katër milionë dollarë në ditë.

Ai tha po ashtu atë muaj se falimentimi ishte një mundësi për kompaninë, megjithëse më vonë ndau perspektiva më optimiste.

Në mesin e dhjetorit, ekipi i Musk-ut u kontaktua me mbështetës të rinj dhe ekzistues për rritjen e kapitalit të ri me çmimin fillestar të marrjes së Twitter-it.

Këshilltarët e tij kishin shpresuar të arrinin një marrëveshje për të mbledhur para me çmimin fillestar të blerjes deri në fund të vitit 2022.

Megjithatë, disa mbështetës të mundshëm thanë se nuk pranuan kushtet, duke pasur parasysh shqetësimet për performancën financiare të Twitter-it.

Fidelity, një nga bashkë-investitorët që mbështeti marrjen e Twitter-it, ka hequr aksionet e tij në Twitter me 56 për qind, duke sugjeruar që Musk do të përballet me një betejë të vështirë për të mbledhur fonde.

Ndërkaq, bankat që mbajnë borxhin prej 13 miliardë dollarësh që mbështetën marrjen e tij të kompanisë nuk kanë marrë ende ndonjë njoftim zyrtar për ndonjë ripagim.

Huatë e pasigurta të Twitter-it janë pjesa më e shtrenjtë e paketës së borxhit prej 13 miliardë dollarësh që Musk ka marrë si pjesë e blerjes prej 44 miliardë dollarësh të kompanisë së mediave sociale.

Ato mbartin një normë interesi prej 10 për qind plus normën e siguruar të financimit njëditor, një normë bazë interesi që është rritur muajt e fundit dhe aktualisht qëndron në 4.3 për qind.

Dhe me çdo tremujor që kalon pa rifinancimin e borxhit nga Twitter-i, norma e interesit rritet me 0.50 pikë përqindje shtesë.

Barra vjetore e interesit është rritur me mbi 100 milionë dollarë që kur ai njoftoi marrëveshjen e blerjes prillin e kaluar, pasi norma njëditore është rritur.

Sakaq, shlyerja e huave do ta linte Twitter-in me një barrë borxhi që ka norma interesi shumë më të menaxhueshme.

Gjithashtu një marrëveshje e mundshme do të ofronte një shkallë lehtësimi për bankat që mbështetën marrjen e kompanisë nga Musk dhe që synonin t’ua shisnin borxhin investitorëve të palëve të treta.

Por kjo ndryshoi kurs pas përkeqësimit të kushteve të tregut.

Morgan Stanley, banka kryesore në marrëveshjen e borxhit të Twitter-it, ka afërsisht 807 milionë dollarë borxhe të pasigurta në bilancin e saj.

Kurse Bank of America Corp., Barclays PLC dhe MUFG Bank Ltd. secila kanë rreth 623 milionë dollarë.

Secila nga katër bankat kanë më shumë se dy miliardë dollarë në detyrime të tjera borxhi në Twitter në bilancet e tyre të veçanta, duke përfshirë huatë me afat dhe borxhe të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore