Kulturë

Musine Kokalari dhe gjyqi kok’a’lart


Me ndarjen nga jeta të Musine Kokalarit, 38 vite më parë, u shua një ikonë reformatore e jetës politike në Shqipëri, nën pengun e kritikës.

Portreti i saj nën tutelën e zezë, si të veshjes edhe të petkut politik të kohës, i një gruaje që udhëhiqte bindjet e saj politike e jo një shtrati amendues si relike e post-luftës, është një imazh që nuk përfaqëson Kokalarin e as përballjen kok’a’lart në të ashtuquajtura gjyqe.

Kokalari është ajo shkrimtare që endet fjalëve e mendimeve, krenare e pashqetësuar, e buzëqeshur, pa ngritur kokë ngase dikush nuk e njeh Kokalarin nga kok’a’larti i partisë.

Në nder të kujtimit të saj dhe figurës “vizionare” që ajo përfaqësonte, më poshtë gjendet rrëfimi i gjyqit ku “shpirtit” të saj të lirë nuk arritën dot t’i burgosnin edhe fjalët.

Pjesë nga gjyqi i Kokalarit:

“Filloi marrja në pyetje. Më pyetën për ‘shënimin’. Ata kishin folur më herët me njerëz të tjerë para meje, por ata nuk qenë të qartë gjatë mbrojtjes së tyre.

Nisa të rrëfehem: ‘Ne e hartuam shënimin në emër të tre grupeve për t’ua dërguar atë aleatëve, të cilëve ju i lejuat të vëzhgonin votën, sepse ishte menduar të ishte demokratike. Ne e bëmë këtë në mënyrë që një koalicion demokratik, me platformat e ndryshme të tij, mund të paraqesë kandidatët e tyre dhe në mënyrë që ne të mund të marrim pjesë në zgjedhje, nëse ato do të mund të shtyheshin’.

‘Çudi’, u përgjigj Nesti Kerenxhi, i cili ishte kreu i Sigurimit, ‘ti vjen nga një familje demokratike, antizogiste. Si është e mundur që iu bashkove këtyre monarkistëve?’

‘Unë e nxora nga ju këtë mësim’, u përgjigja. ‘Juve jeni komunistë dhe Partia Komuniste drejtoi Frontin, por megjithatë ju bashkuat forcat me Bazin e Canës – Abaz Kupi, themelues i lëvizjes Legaliteti (njihej gjerësisht që përfaqësonte Ahmet Zogun)’.

Ata nuk reaguan fare, të pasigurt se çfarë duhet të thoshin.

‘Ju u përpoqët të përmbysni qeverinë?’, deklaruan ata.

‘Jo, ajo për të cilën ne bëmë thirrje ishte shtyrja e zgjedhjeve. Unë nuk kisha asnjë grup pas meje, vetëm dy burra. Si mund ta përmbysnim qeverinë!?’, iu përgjigja

‘Po e shfrytëzonit klasën sunduese, duke përfituar nga forcat e tyre për të marrë drejtimin’, kundërshtuan ata.

‘Kjo nuk është e vërtetë. Unë as nuk e dija se çfarë forcash kishin. Dhe çfarë problemi lipset nëse ata kishin shumë forca? Nëse ata nuk kanë arritur t’ju asgjësojnë kur gjermanët ishin këtu, si mund ta bënin tani?’

‘Ata, gjithashtu, ishin për një shtyrje të zgjedhjeve’.

‘Unë jam përgjegjës vetëm për ato që nxjerr nga goja ime. Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për objektivat e njerëzve të tjerë. Nëse ata do të kishin qenë në gjendje ta përmbysnin qeverinë në pushtet, mund të jini të sigurt se ata do të na fshijnë ne dhe idetë tona nga faqja e dheut gjithashtu’.

‘Pse nuk ia dërguat shënimin qeverisë?’ pyetën ata. ‘Ne nuk do të të kishim arrestuar. S’do të mund të vepronim kështu’.

‘Nëse do t’i kishim dërguar shënimin qeverisë, njerëzit do të pretendonin se ishte gjithçka e paravendosur nga komunistët për ta gjetur kush fshihej prapa grupit. Të gjitha grupimet dhe programet e tyre atëherë do t’i dilnin në shesh. Nëse ata fituan zgjedhjet, mirë, dhe nëse humbnin, gjërat do të mbylleshin në moment. Me shënimin, ne donim të detyronim aleatët që të mbanin një qëndrim. Ne ua dërguam shënimin me shpresën se ata do të njoftonin: Ka grupe në Shqipëri që duan të marrin pjesë në zgjedhje. Zgjedhjet duhet të jenë të lira. Të gjithë duhet të lejohen të marrin pjesë. Por ata nuk e bënë këtë, dhe unë tani kam detyrën e vështirë të justifikohem mbi përmbajtjen e shënimit’.

‘Ju po mbillnit farat e mosmarrëveshjes’.

‘Aspak. Ne nuk u drejtuam nga elementë brenda Frontit. Më trego personin që do të deklarojë se ne po nxisnim telashe! Ne donim që Fronti të udhëhiqej nga një parti, Partia Komuniste, ose Partia Socialdemokrate ose një parti tjetër’.

‘Ne ishim ata që po bënim luftimet’, thanë ata.

‘Kështu ishim edhe ne. Ndoshta jo duke përdorur krahët, por në mënyra të tjera. Ne nuk bashkëpunuam me pushtuesit. Ju e dini mirë se unë nuk kam bërë asgjë kundër jush, as kam bashkëpunuar ndonjëherë me pushtuesit. Do të më dënoni, jo sepse jam fajtore për ndonjë gjë, porse ju komunistët nuk do të lejoni asnjë parti tjetër dhe, për ta justifikuar këtë, ju pretendoni se ne po përpiqeshim të rrëzonim qeverinë. Jam e pafajshme! Unë nuk jam komuniste dhe në vetvete, ky nuk është krim. Ju fituat zgjedhjet dhe unë përfundova në burg. Ju më arrestuat dhe po thoni se jam fajtore. Unë nuk mund ta pranoj këtë’.

‘A keni shprehur dëshirën që të keni objektet tuaja botuese?’ pyetën ata.

‘Po’, u përgjigja.

‘Por cili do të ishte bashkëpunëtori juaj në këtë mes?’

‘Çfarë pyetjeje pa kuptim. A nuk jemi në gjendje të shtypim një gazetë? Nëse do të kishim fituar, ne do të kishim botuar një gazetë në të cilën njerëzit do të kishin shprehur opinionet e tyre. Aty do të shihej se kush po shkruante. Ju asnjëherë nuk deklaruat se të gjithë duhej të ishin komunistë. Ju thatë që jeni duke mbrojtur shtypin e lirë’.

‘Dhe ju mbroni shtypin fashist’.

‘Unë nuk jam fashiste. Unë jam për një kulturë demokratike. Unë jam një ndjekëse e nderuar e Sami Frashërit. Unë nuk jam komuniste. Është diçka që unë nuk e kuptoj’.

‘Le t’i japim fund. Nëse do t’ia kishit dërguar shënimin qeverisë, nuk do të ishit arrestuar. Nuk e menduat në asnjë moment se do të përfundonit deri në burg?’

‘Isha pothuajse e sigurt për këtë. Por të paktën e di pse jam në burg. Nëse jam dënuar gabimisht, edhe këtë do ta mësoj gjithashtu’.

Unë mbrojta qëndrimin tim, me shkrim, gjithashtu. Prokurori i shtetit, Gjon Banushi dhe gjyqtari, Frederik Nosi, përsëritën akuzat e tyre në gjyqin e zhvilluar në gjykatën e lartë, por unë i mbrojta idetë e mia deri në fund. Gjyqi special do të fillonte më 2 qershor. Kryetari i trupit gjykues ishte Frederik Nosi dhe prokurori i shtetit ishte Nefzat Hasnedari.

Filluan me Grupin e Sami Çeribashit, pastaj monarkistët dhe, në fund, me mua:

Gjykatësi pyeti: ‘Kush e shkroi shënimin?’

‘Musineja’, thanë ata.

‘A është e vërtetë kjo, Musine?’

‘Po’, u përgjigja.

‘Kush i shtoi emrat e tjerë?’

‘Musineja’, u përgjigjën ata.

‘A është e vërtetë?’, pyetën ata.

‘Po’, u përgjigja, ‘shtova emrat e të gjitha grupeve që donin të merrnin pjesë, me platformat e tyre politike’.

‘Por secili grup kishte nga katër persona, kështu që pse e bëtë të gjithë punën vetëm?’, pyeti gjyqtari.

‘Katër ishin të mjaftueshëm për secilin grup. Sa më pak të ishin, aq më pak do të përfundojnë në burg. Por të gjithë ishin të lirë të merrnin pjesë’.

Erdhi dita e larjes së hesapeve dhe unë e gjeta veten në bankën e të akuzuarve. Iu afrova mikrofonit. Gjyqtari, Frederik Nosi, më pyeti:

‘A i pranoni akuzat?’

‘Sipas logjikës suaj politike, po. Sipas times, jo’.

‘Mjaft me sofizmat tuaja!’, bërtiti Frederik Nosi.

‘Nuk ka kuptim të më pyesësh atëherë. Lexoni dokumentet e gjykimit’, deklarova unë e kënaqur me veten dhe u ula në vendin tim.

Argumentet përmbyllëse ishin të prera. Çfarëdo që diskutohej, përplasej tek unë. Mendova se do të më dënonin me vdekje. Përveç kësaj, prokurori më akuzoi edhe për mëkatet e të tjerëve. Unë nuk bëra asnjë koment.

Pastaj erdhi dita e mbrojtjes së të akuzuarve. Unë refuzova avokatin dhe e përgatita vetë mbrojtjen time. Ata nuk ia kishin idenë se çfarë po bënin.

Prokurori më akuzoi për krijimin e një grupi për përmbysjen e qeverisë dhe bëri thirrje që unë të dënohem me tridhjetë vjet burg. Me fjalimin në dorën time, i afrohem mikrofonit dhe fillova të lexoj si më poshtë:

‘Janë tridhjetë e gjashtë persona të akuzuar këtu në këtë gjyq. Katër grupe, tre nga të cilat kanë vetëm një gjë të përbashkët – një shënim dërguar aleatëve në mënyrë që zgjedhjet të shtyhen dhe një koalicion demokratik mund të marrë pjesë në to. Nuk bëhej fjalë për rrëzimin e qeverisë. Ajo ishte thjesht për zgjedhje demokratike’.

Gjyqtari dhe prokurori u ngritën në këmbë dhe më ndërprenë, ‘Ne nuk do t’ju lejojmë të vazhdoni me këtë mbrojtje’.

‘Nëse më ndaloni dhe nuk lejoni që një i burgosur të mbrojë veten, unë do të ulem sepse nuk kam zgjidhje tjetër’, thashë.

U ktheva në vendin tim. Menjëherë pas kësaj, oficeri Manoli erdhi dhe më konfiskoi mbrojtjen. Ia dhashë. Ata më kërkuan një fjalë përfundimtare. Unë kërkova drejtësi. Gjyqi zgjati për 15 ditë.
Në fund, gjykatësi më dënoi me njëzet vjet dhe unë isha tanimë një e burgosur…”

 

*Ky ekstrakt i gjyqit u shkëput nga libri “Si u formua Partia Social-Demokrate”, për Albanian Post*

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore