Lajme

Murseli mohon versionin e dhënë gjatë intervistimit në polici – përfundon dëshminë në Prokurori


Foto nga vendi i ngjarjes ku u vra Liridona Ademaj.

Naim Murseli – i dyshuari kryesor për vrasjen e bashkëshortës së tij Liridona Ademaj, ka dhënë dëshmi edhe gjatë të enjtes në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ku ka mohuar në tërësi versionin e dhënë gjatë intervistimit në polici.

Avokatja e Murselit, Teuta Zhinipotoku, në një bisedë për Albanian Post ka thënë se dëshmia e tij për prokurorinë ka përfunduar, ndërsa versioni i dhënë gjatë intervistimit në Polici është mohuar nga Murseli.

“Dëshmia e të pandehurit Naim Murseli ka mbaruar, me sot. Është kryer deklarimi i tij pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili në tërësi e ka mohuar versionin e dhënë gjatë intervisitimit në Polici”.

“Deklarata e tij ka qenë e dhënë në detaje në shpjegimin e ngjarjes dhe e ka mohuar implikimin e tij në këtë rast”, ka thënë Zhinipotoku për AP.

Ajo tutje ka thënë se raportimet që janë bërë në lidhje me raportin e tyre bashkëshortor  janë mohuar.

“Informatat të cilat janë publikuar lidhje me raportet e tendosura në mes të bashkëshortëve lidhur me besnikërinë e tyre i pandehuri në tërësi i ka mohuar. Prokuroria vazhdon me grumbullimin e provave të mëtutjeshme”, u shpreh avokatja Zhinipotoku.

Mw 26 janar, pas disa publikimeve në media që janë bërë për dëshminë e Naim Murselit dhënë institucioneve ka reaguar vëllai i Liridona Ademaj, Leonard Ademaj duke thwnw se s’do e komentojnë përmbajtjen, por që janë të kënaqur me mënyrën e intervistimit.

Çfarë ndodhi?

Liridona Ademaj, është vrarë më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Vrasja e Liridonës ka marrë vëmendje të madhe, pasi fillimisht ajo ishte raportuar nga Policia e Kosovës si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin Granit Plava dhe Naim Murselin, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Më pas u arrestua edhe Kushtrim Kokalla si pjesëmarrës në krim.

Në dosjen e dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 2 dhjetor, Prokuroria Themelore, ka dhënë detaje të veprimeve që pretendohet se i kanë kryer Nam Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, më 29 nëntor në Prishtinë, rasti ky i cili fillimisht u cilësua si “Grabitje me pasojë vdekjen”.

Foto nga aktiviteti i organizatës “Fourth Wave”, ku kërkohet drejtësi për vrasjen e Liridona Ademaj.

Ndryshe, në dosjen e prokurorisë theksohet se ka pasur një “marrëveshje për një aksident të inskenuar”, ku i pandehuri, në këtë rast Naim Murseli, me dashje ka dashur të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, duke bërë një marrëveshje paraprake me dorasin Granit Plavën.

Sipas Prokurorisë, Murseli, paraprakisht e ka pajisur me armë dorasin Plava duke inskenuar veprën e “Grabitjes”.

“Murseli derisa ishte duke lëvizur me veturë, në të cilën ishte bashkëshortja Liridona dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë i pandehuri Plava para veturës, me maskë në kokë dhe revole në dorë, sipas marrëveshjes paraprake, i pandehuri Murseli me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, derisa tani e ndjera Liridona ka mbetur në veturë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në dosjen e Prokurorisë ndër të tjera theksohej se i pandehuri Granit Plava e ka qëlluar viktimën nga afërsia me një plumb në qafë.

“Ndërsa për këto veprime i pandehuri Naim Murseli, paraprakisht i ka premtuar të pandehurit Granit Plava, një shumë të të hollave prej 30 mijë euro”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Dosja e Prokurorisë, gjithashtu, jep detaje edhe për përfshirjen e Kushtrim Kokallas në rastin e vrasjes, ku sipas Prokurorisë ky i fundit ka njoftuar Murselin me dorasin, në këtë rast Granit Plavën.

“Një javë para natës kritike, të pandehurit Murseli dhe Kokalla (me të cilin kanë raporte familjare- djalë i dajës dhe djalë i hallës) dhe i pandehuri Plava (shok i të pandehurit Kokalla), janë takuar në pompën e derivateve ‘Shell’, ku i pandehuri Plava i ka treguar se merret me gjithçka”.

Pas takimit të tyre në “Shell”, sipas Prokurorisë, thuhet se Murseli i kërkon Kokallës numrin e telefonit të të pandehurit Plava, kurse në ditën kritike Murseli takohet sërish me Kokallën në ora 9:30 në qytetin e Gjakovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore