Lajme

Murati sqaron formën e aplikimit për subvencionim të rrymës: Të dhënat të jenë të sakta, subvencionimi bëhet në fatura


Ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur formën se si do të aplikohet për subvencionimin e energjisë elektrike për familjet e cenueshme.

Murati, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka kërkuar që të dhënat në aplikim të jenë të sakta.

“Sigurohuni që të dhënat janë të sakta, e sidomos shifra e konsumatorit (njehsorit të energjisë elektrike) sepse subvencioni do të bëhet direkt në faturë”.

Teksa, ka treguar edhe familjet të cilat mund të kualifikohen për të përfituar nga ky subvencionim.

“Të gjitha familjet me të ardhura mesatare mujore më pak se 150 euro/muaj/anëtar, kualifikohen për të aplikuar për subvencionim”.

“Pra nëse një familje ka 4 anëtarë dhe ka të ardhurat mujore më pak se 600 euro/muaj, mund të aplikojë për subvencion. Nëse familja ka 5 anëtarë duhet të ketë të ardhura më pak se 750 euro/muaj për t’u kualifikuar, e kështu me radhë”.

Ministri ka bërë të ditur edhe shumën e subvencionit, varësisht nga kWH që shpenzohen në muajt e dimrit.

“Shuma e subvencionit të plotë shkon deri në 900 kWh/vit për një anëtar, dhe do të jetë e shpërndarë nëpër muajt e dimrit”.

“Nëse një familje 4-anëtarëshe ka 300 euro të ardhura mujore, mund të përfitojë gjysmën subvencionit, pra 450 kWh/vit për anëtar”.

Por, ndryshe do të përfitojnë familjet që s’kanë të ardhura fare.

“Nëse familja nuk ka fare të ardhura, atëherë mund të përfitojë subvencionin e plotë prej 900kËh për anëtar”.

“Me fjalë tjera, sa më pak të ardhura të ketë familja, aq më e lartë është vlera e subvencionit, e që mund të shkojë deri në 900kËh/vit/anëtar”.

Ndërsa, në rast se familjet nuk kanë qasje në internet, apo kanë vështirësi të aplikojnë, mund të drejtohen në Qendrat për Punë Sociale për udhëzime dhe ndihmë.

Edhe Bashkimi Evropian (BE), kishte mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për subvencionimin e faturës së energjisë elektrike për konsumatorët që konsiderohen të cenueshëm siç janë personat me aftësi të kufizuara, nënat vetushqyese dhe pensionistët që jetojnë vetëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore