Lajme

Murati: Reformat për përmirësimin e jetës së qytetarëve, opozita po i dërgon në Kushtetuese


Ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Trasfereve Hekuran Murati, konsideron që reformat për të përmirësuar jetën e qytetarëve nuk po lejohen të zhvillohen nga opozita.

Ai në një konferencë për media ka përmendur disa nga ligjet që janë dërguar nga opozita në Kushtetuese.

“Siç e dini ligji për zyrtarët publikë ka kaluar në Kuvend dhe do të thotë pritja ka qenë nga ana jonë që përmes atij ligji të vazhdojmë me shpalljen e konkursit të ri për Administratën Tatimore, mirëpo siç jeni në dijeni ligji i njëjtë është dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga partitë opozitare”, ka thënë Murati.

Ministri tutje ka përmendur edhe ligjin për çmimet tavan, për të cilin ka thënë se opozita po ankohet për çmimet, mirëpo nuk po lejon që të punohet për përmirësim në këtë drejtim.

“Njësoj, siç po na ndodh me shumicën e ligjeve që parashohin reforma dhe ta kemi parasysh është edhe ligji për çmimet tavan të produkteve bazë. Në vazhdimësi i kemi dëgjuar subjektet opozitare që ankohen se si çmimet janë rritur të ushqimeve, mirëpo kur qeveria ndërmerr një hap dhe bën një ligj që të vë në kontroll ato çmime, të parandaloj abuzimet që bëjnë tregtarët”.

“Sepse çmimet e importit nuk mund ta kontrollojmë pra është inflacion në nivel global, por së paku abuzimet e brendshme t’i ndalojmë, I shohim partitë opozitare e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese”.

I njëjti veprim është bërë edhe me Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Do të thotë çdo reformë dhe çdo nismë e Qeverisë që po bëhet për ta përmirësuar jetën e qytetarëve ose për të luftuar korrupsionit po shihet që nga ana e opozitës bëhet çmos për ta dërguar në Kushtetuese, e cila pastaj merr një kohë shumë të gjatë siç është edhe ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës  që tashmë ka disa muaj që është në Gjykatë Kushtetuese dhe nuk lëvizet tutje”.

Së fundi, Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike të Kosovës.

Kështu të paktën ka bërë të ditur, Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit të Qeverisë së Mirë në PDK, në një përgjigje për Betimin për Drejtësi.

Afati për dorëzimin e kërkesës në Kushtetuese, sipas Kushtetutës së Kosovës, parashtrohet brenda një afati prej tetë ditësh nga dita e miratimit të ligjit ose vendimit të caktuar.

Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, projektligji nuk procedohet nga ana e Kuvendit për shpallje tek Presidentja e Republikës së Kosovës, pasi ajo dërgohet në Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore