Murati: Pajisjet që u konfiskuan në veri shpenzojnë rrymë sa 500 shtëpi

SHFLETO

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

 

Altina Marmullaku
08.01.2022 13:15
Loading Icons...

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është shprehur se 272 pajisjet e kriptovalutave të konfiskuara nga aksioni i Policisë së Kosovës në Leposaviq shpenzojnë energji elektrike sa shpenzimi mesatar i 500 shtëpive.

“272 pajisje Antminer janë konfiskuar sot në mëngjes në një operacion të Doganës dhe Policisë, në pjesën veriore të vendit”.

“Këto pajisje, nëse lihen të punojnë pandërprerë, shpenzojnë përafërsisht 300,000 kWh energji elektrike, apo sa shpenzimi mesatar i 500 shtëpive”, ka shkruar Murati në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas tij, me çmimet aktuale të importit, i bie që këto pajisjeje shpenzojnë energji elektrike në vlerë prej 60 mijë deri në 120 mijë euro në muaj.

“Me çmimet aktuale të importit, i bie 60,000-120,000 euro/muaj. Për këtë po flasim kur po themi se nuk mund të lejojmë pasurimin e paligjshëm të disave, në kurriz të taksapaguesve”.

Edhe, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, është deklaruar për këtë aksion duke thënë se, “mbi 50,000 Euro në muaj para të taksapaguesve të kursyera vetëm nga ky aksion”.

Ndërkaq, ka shprehur falënderime ndaj institucioneve.

“Falënderoj të gjitha institucionet, e në veçanti Policinë e Kosovës, për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm”.

Pajisje per prodhimin e kriptovalutave te konfiskuara nga policia

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e kriptovalutave me arsyetimin se procesi i prodhimit që quhet “minim”, harxhon shumë energji elektrike, Policia e Kosovës ka konfiskuar qindra pajisje në Leposaviq.

Aksioni i policisë u bë i ditur nga vetë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili – në Facebook – dha detaje për konfisikimin e pajisjeve dhe arrestimin e një personi.

“Në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj pajisjesh dhe u arrestua një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente”, ka shkruar Sveçla.

Aksioni ishte ndërmarrë “pas kërkesës së Doganave të Kosovës”.

Ekspertët habiten me vendimin e qeverisë

Argumentimi i qeverisë se prodhimi i kriptovalutave duhet të ndalet, sepse pajisjet shpenzojnë shumë energji elektrike, është përqeshur nga ekspertët e teknologjisë.

Milot Mehmeti, njohës i parave digjitale dhe proceseve prodhuese të tyre, në një intervistë për Albanian Post, tha se këto pajisje shpenzojnë fare pak energji.