Kosova

Murati: Mbi 5 mijë të punësuar u regjistruan në shkurt, rezultat i ligjit të ATK-së


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), i cili detyron punëdhënësin t’i deklarojë të gjithë punëmarrësit janë regjistruar mbi 5 mijë të punësuar.

Lajmin e ka bërë të ditur Murati përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Gjatë muajit shkurt janë regjistruar 5,054 të punësuar të rinj. Kjo vjen si rezultat i hyrjes në fuqi të ligjit të ri të ATK-së, i cili kërkon që punëtorët të regjistrohen/deklarohen së paku një ditë para se ata të fillojnë punën”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka thënë se fushata e kontrolleve në biznese për punëtorë të padeklaruar po vazhdon.

“Të gjithë të punësuarit duhet të kontrollojnë nëse punëdhënësi i ka deklaruar në ATK, dhe në rast se jo, të denoncojnë punëdhënësin. Punëdhënësi ka për obligim të deklarojë të gjithë të punësuarit dhe t’u paguajë kontributet me rregull”.

Më 23 shkurt, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte bërë të ditur se ka nisur fushata për identifikimin e punëdhënësve që nuk deklarojnë punëtorët.

Ministri, ka bërë thirrje se në rast se njoftohen se punëdhënësi nuk i ka deklaruar, atëherë qytetarët duhet të raportojnë në mënyrë anonime dhe ATK-ja bashkë me Inspektorët e Punës do të marrin masa ndaj punëdhënësit, duke i gjobitur për shkelje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore