Lajme

Murati: Mbi 12 mijë pensionistë rimbursohen për 10%-shin e tërhequr nga Trust-i


Ministri i Financave, Punës dhe Trasnsfereve, Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Trasnsfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se ka nisur rimbursimi i mbi 12 mijë pensionistëve të cilët kishin tërhequr 10 për qind të mjeteve të Trust-it.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Murati ka sqaruar se mbi 5 milionë euro janë transferuar tek trusti pensional.

“Rimbursohen 12,090 pensionistët e parë, të cilët kishin tërhequr 10% të mjeteve të Trustit. Qeveria e Republikës së Kosovës ka transferuar 5.4 milionë euro tek Trusti pensional, për të rimbursuar grupin e parë të kontribuesve që kishin tërhequr 10% të mjeteve nga Trusti”.

Murati, tutje ka sqaruar edhe metodologjinë se si do të bëhet rimbursimi.

“Sipas metodologjisë së përcaktuar, rimbursimi për grupin e parë përfshin të gjithë ata që kishin tërhequr 10% të mjeteve dhe që tashmë janë dalë në pension, apo pritet të dalin në pension deri në fund të vitit 2023”.

Ndërsa, vitin e ardhshëm ministri ka pohuar se do të rimbursohen ata që dalin në pension.

“Vitin e ardhshëm pastaj do të rimbursohen të gjithë ata që dalin në pension në vitin 2024, e kështu me radhë çdo vit, deri në vitin 2028 kur pritet të përmbyllet plani i rimbursimit”.

“Shpërndarja e mjeteve për grupin e parë prej 12,090 personave është bërë sot nga Trusti, nëpër llogaritë e përfituesve, dhe nuk ka nevojë për aplikim apo ndonjë veprim tjetër nga ana e përfituesve sepse transferi bëhet automatikisht nëse janë plotësuar kriteret”.

Po ashtu, më 27 korrik, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për Skemat Pensionale.

Me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin votuar këtë projektligj, i cili parasheh që pensionistëve të përjashtuar nga skema për stazhin pensionale për punën në vitet 90-ta, nga tash e tutje do t’iu numërohen vitet e punës.

Të pranishëm në votim ishin edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët votuan për këtë projektligj, ndërsa deputetët e dy partive tjera opozitare – Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk morën pjesë në votim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore