Lajme

Murati: Kemi nisur fushatën për identifikimin e deklarimit të punëtorëve – punëdhënësit do të gjobiten për shkelje


Ministri i Financave, Hekuran Murati, zëvendësministrat Avni Zogiani, Agon Dobruna, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj si dhe kryeinspektori Hekuran Nikçi.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se ka nisur fushata për identifikimin e punëdhënësve që nuk deklarojnë punëtorët.

Lajmin e ka bërë të ditur Murati, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Sot bashkë me Zëvendësministrat, Avni Zogiani dhe Agon Dobruna, kemi takuar Drejtorin e ATK-së, Ilir Murtezaj, dhe Kryeinspektorin e Punës, Hekuran Nikçi, për të koordinuar fushatën e identifikimit të punëdhënësve që nuk deklarojnë punëtorët”.

“Me ligjin e ri të ATK-së, punëdhënësit janë të obliguar që të deklarojnë çdo punëtor të ri, një ditë para se punëtori të fillojë punën”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka treguar edhe të metat e ligjit të vjetër dhe abuzimet që ishin bërë.

“Me ligjin e vjetër kishte vakum ligjor, sepse punëdhënësit i mundësohej që të deklaronte të punësuarin deri në 45 ditë pas fillimit të punës. Kjo mundësi abuzohej nga shumë punëdhënës sepse përdorej si hapësirë për t’u ikur gjobave për punëtorë të padeklaruar”.

Ndërsa, ka theksuar se fushata do të nis nga java e ardhshme.

“Duke filluar nga java e ardhshme, do të nis fushata për identifikimin e të gjithë punëdhënësve që shkelin ligjin dhe të drejtat e punëtorëve duke mos i deklaruar dhe duke mos ua paguar kontributet”.

“Secili i punësuar ka mundësi të kontrollojë nëse punëdhënësi e ka deklaruar: https://apps.atk-ks.org/regemployer” .

Ministri, ka bërë thirrje se në rast se njoftohen se punëdhënësi nuk i ka deklaruar, atëherë qytetarët duhet të raportojnë në mënyrë anonime dhe ATK-ja bashkë me Inspektorët e Punës do të marrin masa ndaj punëdhënësit, duke i gjobitur për shkelje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore