Lajme

Murati: Do të largojmë kriteret diskriminuese nga skemat sociale – jemi drejt finalizimit


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, në Komisionin Parlamentar për Shëndetësi, ka premtuar largimin e kritereve diskriminuese nga skemat sociale.

Murati, gjatë raportimit të tij u shpreh se janë duke punuar me Bankën Botërore në njësinë e pilotimit dhe në ligjin për skemat sociale.

“Në Kuvend është ratifikuar marrëveshja me Bankën Botërore dhe në këtë aspekt ne kemi filluar punën, sapo është ratifikuar marrëveshja. Tani kur jemi në këtë fazë, është puna që janë kryer, është bërë njësia implementuese e projektit dhe është duke u punuar, pra është përzgjedhur koordinatori dhe stafi tjetër esencial dhe jemi duke punuar në bashkëpunim me Bankën Botërore për pilotimin”.

“Pra, sivjet do të fillojë pilotimi, siç është paraparë me njërën nga kompanitë e atij projekti, dhe paralelisht jemi duke punuar edhe në ligji”, tha Murati para deputetëve.

Ndërsa, deklaroi se ligji për skemat sociale është drejt finalizimit duke sqaruar se çka parasheh ai ligji.

“Po presim edhe pilotimin që të ketë informim të bazuar në informacion konkret nga terreni se si do të mund të dukej zbatimi në praktikë, por edhe si mund të informohej nga përvoja që mund të marrim nga pilotimi”.

“Ligji parasheh heqjen e kritereve diskriminuese siç kanë qenë në kategori ose me ligjin ekzistues janë dy kategori, njëra është familjet që kanë fëmijë nën moshën pesë vjeçare mund të përfitojnë, është si kriter diskriminues”.

“Kurse, kriteri tjetër është se nëse nuk plotësojnë kriterin e një fëmijë nën moshën pesë vjeçare i bie që askush nga familjet mos të jetë i aftë për punë”, tha ai.

Përgjigja e Muratit erdhi pas kritikave të opozitës, fillimisht deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, theksoi se ky projektligj vazhdon të bartet në çdo program legjislativ.

“Keni premtuar ridijzanim të skemave për punësim sezonal për familjet me asistencë sociale. Keni premtuar së paku punësimin e një anëtari të familjeve që janë me asistencë sociale. Por zero deri tani. Të varfërve vazhdon të ju përkeqësohet gjendja, ndërsa oligarkët dhe bankat kanë shifra të dyfishuara të përfitimeve”.

“Në vitin 2021 keni premtuar se do të bëni reformën pensionale dhe tani kjo as nuk është në agjendë legjislative”, deklaroi Haxhiu.

E kritikave të tij iu bashkua edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

“Nga paaftësia për të shpenzuar buxhetin në projekte kapitale, ju i falet nga 100 euro për disa kategori, pa selektim të qytetarëve në nevojë”, tha ai.

Më 13 dhjetor të 2023, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të ndajë nga 100 euro për të gjithë fëmijët nën 16 vjeç në muajin dhjetor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore