Lajme

Murati akuzon Prokurorinë Speciale se “hodhi në ujë” një kallëzim penal pas përfshirjes së “kastës së vjetër”


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka akuzuar Prokurorinë Speciale të Kosovës se në mënyrë të paarsyeshme ia ka hedhur poshtë kallëzimin penal në rastin e shpronësimeve për rrugën Kijevë-Zahaq.

Ai ka thënë se ndonëse kallëzimit penal ia kishte bashkangjitur edhe raportin e auditimit, i cili, sipas tij, kishte gjetur se vlera e pronave për shpronësim ishte vlerësuar pesëfish më shumë nga qeveritë e mëparshme, ishte “hedhur në ujë” nga Prokuroria Speciale.

“Si qeveri që e lufton korrupsionin, krejt çfarë ka qenë në dorën tonë e kemi bërë. Pra, indetifikimin e rastit. Mbledhjen e provave, dhe dorëzimin e tyre në prokurori. Kemi anuluar edhe vendimin për shpronësim, në mënyrë që të mbrohet buxheti nga paditë potenciale”.

“Një hetim i mirëfilltë i zhvilluar nga prokuroria do të nxirrte në pah edhe arsyet se pse u bënë këto rritje të vlerave, dhe kush i kishte porositur. Por çfarë ka bërë Prokuroria Speciale? E hedh poshtë kallëzimin penal”, ka shtuar ndër të tjera ministri Murati, të dielen.

Ai ka pretenduar se në rastin në fjalë dhe ndër arsyet që kallëzimi penal për fryerjen e vlerës së shpronësimit ishte hedhur poshtë nga Prokuroria Speciale, kishte të bënte me përfshirjen e “kastës së vjetër”, ndërsa ka aluduar se rasti ishte hedhur poshtë nga prokurori Milot Krasniqi.

“Pra të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër. Se kush ka qenë prokurori i ngarkuar me këtë rast, besoj e keni shumë të lehtë t’ia qëlloni”, ka shkruar ministri Murati në llogarinë e tij.

Ky reagim i ministrit Murati vjen pas arrestimit të tre personave – dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një biznesmeni të afërt me kryeministrin Albin Kurti – nën dyshimet se kanë bërë keqpërdorime gjatë procedurave për blerjen e rezervave shtetërore.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë me dije se të arrestuarit dyshohen për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore