Lajme

Muralet e Banksy-t në Ukrainë i tregojnë botës çfarë ka bërë Rusia


Artisti anonim i rrugës, Banksy, ka konfirmuar se ka përfunduar në total shtatë vepra të reja në Ukrainë.

Ai e ka konfirmuar lajmin për “The Art Newspaper’ pasi një seri muralesh që dyshohet se janë të tijat u shfaqën në qytetin e çliruar ukrainas, Borodianka, i cili ndodhet rreth 35 milje në veriperëndim të Kievit.

Sakaq, punime të tjera ndodhen në kryeqytet dhe qytete të tjera të rajonit.

Vepra e parë që u identifikua tregon një gjimnaste duke gjetur balancën  mbi një grumbull rrënojash në anën e një ndërtese të dëmtuar nga sulmet ruse.

Një tjetër vepër përshkruan një djalë të vogël, i veshur me një uniformë të arteve marciale të lidhur me një rrip të zi, duke rrokullisur një burrë të rritur në shpinë.

Disa e kanë lidhur imazhin me presidentin rus Vladimir Putin, rripi i zi i nderit të cilit iu hoq në fillim të këtij viti nga World Taekwondo.

Megjithatë, Banksy nuk e ka komentuar publikisht imazhin apo kuptimin e tij.

Borodianka u godit veçanërisht rëndë nga sulmet ajrore dhe bombardimet ruse në ditët e para të pushtimit të Ukrainës, me shumë ndërtesa të shndërruara në grumbuj rrënojash nga sulmet me rreze të gjatë.

Ishte shtëpia e 13 mijë njerëzve para luftës, por shumica u larguan pas pushtimit.

Çka mbeti nga qyteti u pushtua më pas nga forcat ruse, të cilat u zhvendosën më 28 shkurt.

Qyteti u kthye në kontrollin ukrainas më 1 prill dhe banorët e kthyer gjetën shtëpitë e tyre të plaçkitura dhe dyqanet me xhama të thyer dhe brenda të vjedhur.

Prej asaj kohe, qyteti ka qenë fokusi i përpjekjeve për rindërtim, me disa blloqe kullash të shkatërruara si rezultat i dëmeve të shkaktuara nga luftimet.

Ndërkohë, kjo është seria më e fundit e artisti anonim që nga “Great British Spraycation” verën e kaluar.

Vitin e kaluar, ai i fokusoi përpjekjet e tij në mbledhjen e parave për kauza sociale dhe politike, duke nxjerrë në ankand një pikturë për një rekord prej 23.1 milionë dollarësh për organizatat e kujdesit shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu shiti bluza në mbështetje të protestuesve antiracistë të arrestuar për rrëzimin e një statuje të Edward Colston në Bristol.

“Ky është një moment kaq historik për vendin tonë, sa njerëz si Banksy dhe figura të tjera të famshme po vijnë këtu dhe i tregojnë botës se çfarë na ka bërë Rusia”, ka thënë një banor i Kievit.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore