Shqipëria

Mural Fest mbaroi, por pas la fasadat e dergjura në art


Fillimet e punës datonin që prej vitit 2018. Përgatitjet zgjatën dy vjet. Puna, 45 ditë. Ndërsa, rezultati…

Mural Fest Tirana 2021 e ka mbyllur aktivitetin prej fillim tetorit në kryeqytet, por rezultatet e punës do të jenë të dukshme për shumë vjet të tjera, ku fasadat – edhe të rëndomta – kanë marrë tjetër jetë me ngjyrat e dhëna nga artistë prej gjithë Ballkanit e më gjerë.

Hapësirat urbane u kthyen në hapësira mesazhesh. Energjia artistike u kthye në energji qytetëse dhe në mjedis estetik.

Shumë prej artistëve vijojnë të kujtojnë “Mural Fest”-in nëpërmjet postimeve në Instagramin e tyre.

Një prej tyre, i njohur si Rebel Same 84, ka bërë një murale, të cilën e ka titulluar Coca Cola. Në të shfaqet imazhi i një vajze, i ndërthurur me ikonën e markës së njohur të pijeve të buta.

Artisti grek, Kostis Damoulakis, ka zgjedhur rrymën e të madhit Pablo Picasso, për të ngjyrosur muret e një pallati në zonën e Komunës së Parisit. Muralja e tij është emërzuar si “Marie-Therese” dhe zë një fasadë të bollshme në një zonë aq të populluar.

Në një sipërfaqe edhe më të madhe, ka bojëzuar artisti Wild Drawing.

Gaia titullohet fantazia e tij krijuese. Ashtu si vetë artisti e përshkruan, “çdo lule e së nesërmes është në farat e të sotmes”.

Ndërsa, për artistin Manomatic, muralja e 2021-shit është Mvwana, një imazh i një vajze me ngjyrë, nën dritëhije të shumta ngjyrore.

Kryeqyteti shpesh, i kritikuar për fasadat e dëmtuara, tashmë sheh në jetë një sërë muralesh estetike.

Murale, të cilat, edhe pse festivali mbaroi, i la pas në 2021-shin, bukur për 2022-shin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore