Kosova

Mungojnë deputetët, shtyhet debati për qeverisjen trevjeçare të Kurtit


Ilustrim

Në mungesë të deputetëve Kuvendi i Kosovës, të premten, nuk ka mbajtur një seancë plenare ku do të shqyrtohej edhe draft-rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ajo është shtyrë për një datë të pacaktuar.

Sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, seanca e paraparë për 24 maj, do të mbahet në një datë kur ka gatishmëri më të madhe të deputetëve.

“Vërtet nuk do të ishte mirë kjo seancë të ndodhte me 40 deputetë të pranishëm. Është papërgjegjësi me prit edhe shumë gjatë, pritëm gati rreth 40 minuta, andaj e ndërpresim këtë seancë. Do të merremi vesh për një datë tjetër kur do të ketë kohë kryeministri”, ka theksuar ai.

AAK-ja përmes rezolutës të premten synonte të kërkonte që “Qeveria ta përmbyllë mandatin e saj me dorëheqje ose me mocion për shkarkimin e saj”.

Pas dorëheqjes apo shkarkimit, sipas draft-rezolutës së AAK-së, mund të shpërndahet Kuvendi i Kosovës.

Gjatë kësaj seance do të diskutohej edhe për tre vjetët e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ishte opozitari i vetëm i cili pranoi ftesën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, për takim më 13 maj ku mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare doli të jetë tema kryesore.

Ftesën e Kurtit për këtë takim e refuzoi Lidhja Demokratike e Kosovës dhe AAK.

Si LDK ashtu edhe AAK argumentuan se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme vetëm nëse kryeministri Albin Kurti jep dorëheqje.

Sipas tyre kërkesa e PDK-së për shpërndarje të Kuvendit të Kosovës është e pakuptimtë.

Në anën tjetër partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se janë të gatshme për zgjedhje të parakohshme.

Për LVV-në shkuarja në zgjedhje varet nga partitë opozitare.

AAK me rezolutë në Kuvend: Shkarkimi ose dorëheqja e Kurtit, pastaj shpërndarja e Kuvendit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore