Kosova

Mujanoviç paralajmëron Francën: Avionët “Rafale” do të përdoren nga Serbia për ta frikësuar Kosovën


Ilustrim

Jasmin Mujanoviç, analist politik, konsulent dhe kolumnist i shumë mediave të huaja, në një prononcim për rrjetin televiziv francez “BFM” gjatë javës, tha se avionët luftarake “Rafale” që Serbia dëshiron t’i blejë nga Franca, do të përdoren kryesisht për të frikësuar Kosovën dhe kërcënuar shtetet fqinje.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pretendoi gjatë javës të ketë arritur marrëveshje për blerjen e 12 aeroplanëve luftarakë. Megjithatë, rrjeti televiziv francez raportoi se shitja e aeroplanëve luftarakë për Serbinë nuk do të ndodh pa u zgjidhur disa çëshjte, përfshirë marrëdhëniet Kosovë-Serbi.

Ndër kushtet e kërkuara, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, raportohet të ketë përmendur edhe nevojën për zbutjen e tensioneve Prishtinë-Beograd. E Mujanoviç vlerësoi se nëse shitja e avionëve realizohet “do të përdoren për ta frikësuar Kosovën dhe kërcënuar vendet fqinje” të Serbisë në rajon.

“Do të ishte qesharake që Franca, nga njëra anë, të përmendte dërgimin e trupave në Ukrainë, dhe nga ana tjetër, t’ia shesë një armë jashtëzakonisht të sofistikuar një prej aleatëve më të afërt të Rusisë”, shtoi Mujanoviç, studiues i shkencës politike, në një përgjigje të fundit për mediat franceze.

Avioni “Rafale” i cili u funksionalizua në vitin 2004 dhe pritet të fluturojë deri në vitin 2060, raportohet të jetë “maja e shtizës” së eksportit të industrisë franceze të mbrojtjes. Rreth shtatë vende posedojnë avionët luftarakë francezë ose kanë lidhur marrëveshje tregtare për t’i blerë: Egjipti, Katari, India, Greqia, Indonezia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kroacia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore