Kosova

Muja arsyeton qeverinë: Pas marrëveshjes për targat, përshpejtohet dialogu


Armend Muja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, konsideron se marrëveshja për targat e arritur në Bruksel do ta përshpejtojë dialogun për marrëveshje për normalizim, prandaj beson se u bë mirë kur u nënshkrua mos-aplikimi i vendimit të qeverisë për qortime, gjoba e konfiskime të makinave që vozisin tabela të lëshuara në Serbi.

“Ashtu siç ka insistuar kryeministri Kurti, palët në ditët në vijim do të fillojnë diskutimit për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të prezantuar në këtë shtator nga BE-ja dhe të mbështetur nga Franca dhe Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai në seancën të Kuvendit të Kosovës.

Tash, Muja kërkon që edhe opozita ta trajtojë njëjtë të mirë këtë marrëveshje.

“Qeveria duhet të kritikohet dhe gjykohet në rast se heq dorë nga zbatimi i ligjshmërisë apo shkel Kushtetutën, por detyra për të mbështetur Kosovën për të shtrirë sovranitetin nuk është fakultative as për pozitën as për opozitën”, ka thënë Muja në Kuvendin e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës.

Pas rreth gjashtë orësh bisedime në Bruksel, Kosova u pajtua që të heqë dorë nga masa e gjobës për targat ilegale dhe kështu është nënshkruar marrëveshje për de-eskalim në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Paraprakisht, edhe Serbia ishte pajtuar që të mos lëshojë targa të reja me inicialet “KM” e të ngjashme.

“Kemi marrëveshje”, shkroi krye-diplomati evropian, Josep Borrell në Twitter, kur njoftoi arritjen e pajtimit.

“Shumë i kënaqur të njoftoi se krye-negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së kanë arritur marrëveshje për masat që shmangin eskalimin e mëtejshëm dhe do të koncentrohen krejtësisht në propozimin për normalizim raportesh”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba, tabela provuese dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore