Sport

Muhamed Thaçi, trajneri i ri i Ylli-t në rast të shkarkimit të Beciragic


Kampionët e Superligës së Kosovës në basketboll, Golden Eagle Ylli, kanë pasur një fillim të dobët në tri ndeshjet e luajtura deri më tani.

Ylli kanë humbur tre duelet e luajtura në sezonin e ri të Superligës së Kosovës, përballë Trepcës 89, Bashkimit dhe Prizrenit-16.

Me rast të fillimit të keq, trajneri i therandasve, Adis Beciragic mund të largohet ose shkarkohet nga pozita e tij në klub.

Sipas burimeve të Albanian Post, në rast të largimit të Beciragic, legjenda e basketbollit Kosovar Muhamed Thaçi, do jetë opsioni i parë për të zëvendësuar boshnjakun si trajner i Yllit.

Thaçi, i njohur ndryshe si “Muja”, është një nga legjendat më të mëdhenj të basketbollit kosovar, i cili ka luajtur edhe në Maqedoni, Hungari e Turqi.

Gjatë karrierës së tij si basketbollist, “Muja ” ka luajtur për MZT Skopje, Vardar-in, Mabetexin, KB Pejën, KB MEB Prishtina, KB Drita, KB Dukagjini, KB Trepçën, Alba Fehervar e Ormanspor Genclik Ankara.

Përpos arritjeve si lojtari i basketbollit, Thaci ka pasur sukses të madh edhe si trajner i basketbollit.

Skuadra që u drejtua nga “Muja”, Dinamo Tbilisi, arriti që ta përfundojë sezonin e fundit si e treta në elitën e basketbollit gjeorgjian.

Me këtë sukses të skuadrës, ishte shpërblyer edhe Thaçi i cili gjatë këtij viti është shpallur trajneri i vitit nga “Eurobasket”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore