Lajme

MPJD thotë se Petkoviçit iu ndalua hyrja në Kosovë shkaku i gjuhës së përdorur


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Petar Petkoviç.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka sqaruar se arsyeja e ndaljes për hyrje në Kosovë të Drejtorit të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç është për shkak të gjuhës që përdor ai.

Këtë e ka bërë të ditur MPJD përmes një komunikate për media.

“Petkoviç në vazhdimësi është paralajmëruar që gjuha e përdorur nga ai bie ndesh me marrëveshjen dhe që përdorimi i përsëritur i kësaj gjuhe rrjedhimisht çon në refuzimin e kërkesave për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ky dikaster konsideron se qëndrimet e Petkoviçit ndaj Kosovës kanë karakter tejet dezinformues.

“Qëndrimet e përsëritura të z. Petkoviç ndaj Republikës së Kosovës kanë karakter tejet dezinformues, propagandues dhe synojnë nxitje të urrejtjes. Shpresojmë që në të ardhmen z. Petkoviç të heqë dorë nga deklarata të tilla, të cilat synojnë rrënimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.

Petar Petkoviç, ka thënë për TV Most, se kjo është hera e nëntë radhazi që po i ndalohet hyrja në Kosovë.

“E njoftova vizitën time me kohë dhe në përputhje me të gjitha procedurat, por është e qartë se Prishtina nuk dëshiron normalizimin e marrëdhënieve kur si negociator kryesor nga Beogradi nuk më lejojnë të hyj në Kosovë, gjë që tregon se Prishtina nuk do që ta vazhdojnë marrëveshjen me Beogradin”, tha Petkoviç për TV Most.

Ai ka deklaruar se “mbase Kurtin e ka shqetësuar që sot kam planifikuar të vizitojë Nemanja Mitroviç-in”, një serb që pala serbe thotë se është sulmuar me thikë.

“A mendon Kurti se mund të fshihet ajo që ka ndodhur me atë të riun, por nuk mundet, ashtu si qindra incidente dhe sulme që ndodhin çdo ditë, mbi gjithçka serbe, në pronën e Kishës Ortodokse Serbe”, shtoi Petkoviç.

Në fakt, shifrat në ajër që lëshon Petkoviç për “qindra sulme”, nuk janë shifra të bazuara sipas organeve të sigurisë.

Në Kosovë nuk ka qindra sulme ndër-etnike. Albanian Post kohë më parë pati publikuar shifrat e siguruara nga policia të sulmeve ndër-etnike dhe nuk bëhej fjalë për qindra, aq më pak për sulme të shqiptarëve ndaj serbëve.

Vetë Petkoviç sa herë vjen në Kosovë mban fjalime në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës duke mohuar ekzistencën e shtetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore