Kosova

MPJD për arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së nga autoritetet serbe: Njoftuam mekanizmat ndërkombëtarë, do të paraqesim kërkesë që të vizitohet nga ambasadori Jashari


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), pas arrestimit të dy qytetarëve të Kosovës në Merdarë, ka reaguar duke thënë se i kanë njoftuar mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj shtetasve të Kosovës.

“Pas njoftimit mbi arrestimin e dy qytetarëve të Republikës së Kosovës, Hasan dhe Xhavit Daka (ky i fundit tashmë i liruar), Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka aktivizuar të gjithë mekanizmat e saj institucional. Janë njoftuar edhe mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës”.

“Për këtë rast është njoftuar Zyra e BE-së në Serbi, Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Britanisë sё Madhe nё Serbi”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

Ndërsa, është theksuar se do të paraqitet kërkesë për të lejuar ambasadorin e Kosovës në Beograd, Jetish Jashari për të takuar Hasan Dakën – qytetarin e arrestuar të Kosovës.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikёs sё Kosovёs nё Serbi, do tё paraqes kёrkesё zyrtare autoriteteve serbe pёr tё lejuar Ambasadorin Jashari ta vizitojё z. Hasan Daka, nё mёnyrё qё shteti dhe Qeveria e Republikës sё Kosovës tё njoftohet mё konkretisht pёr trajtimin qё po i bёhet z. Daka nga organet serbe”.

MPJD ka thënë se dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Hasan Daka.

Po ashtu, të kërkohet përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, është arrestuar në mëngjesin e së premtes në pikëkalimin kufitar me Serbinë, në Merdar.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati Xhevdet Smakiqi, që ka sqaruar se është autorizuar nga familja e Dakajt.

“Sot jam autorizuar nga familja Dakaj, nga Prizreni që të mbrojë të drejtat ligjore të familjarit të tyre Hasan Dakaj, i lindur me 10.08.1980 nga Prizreni i cili veç se ka qenë pjesëtar i UÇK-se është arrestuar në Merdar rreth orës 09:00 të mëngjesit, derisa po udhëtonte me vëllain e tij drejt Italisë”.

Ai ka thënë se sipas informatave të para, Dakaj është dërguar në qendrën e ndalimit në Kurshumli.

Ish-pjesëtari i UÇK-së arrestohet nga autoritetet serbe në Merdar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore