Kosova

MPB: Situata e furnizimit me dokumente është drejt stabilizimit


Foto nga Albanian Post

Ministria e Punëve të Brendshme, ka bërë të ditur se situata e furnizimit me dokumente ka nisur të stabilizohet, kjo pasi është pranuar kontingjenti i ri i dokumenteve blanko.

Në komunikatën për media u tha nga Agjencia e Regjistrimit Civil se do të punojë me kapacitete të plota të prodhimit ditor dhe angazhimi i stafit edhe jashtë orarit të rregullt të punës.

“Ju njoftojmë se, qytetarët të cilët kanë aplikuar në muajin shtator dhe tetor dhe ato urgjente, tashmë janë pajisur me dokumente, ndërsa do të vazhdojnë të pajisen me dokumente personale të gjithë ata qytetarë të cilët janë në pritje sipas renditjes, respektivisht datës së mëhershme të aplikimit”.

“Ministria e Punëve të Brendshme falënderon të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për mirëkuptimin dhe durimin e treguar gjatë këtyre muajve”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Furnizimi me material është bërë një muaj më vonë.

Më 17 nëntor, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në seancën e Kuvendit të Kosovës ishte pyetur nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, lidhur me mungesën për furnizim të materialeve të dokumenteve.

Sveçla, është arsyetuar se mungesa e letrës për dokumente vjen si pasojë e luftës në Ukrainë.

“Situata e krijuar nga lufta Rusi-Ukraine dhe sanksionet që pasuan pastaj kanë ekspozuar dobësinë për krijimin industrial duke afektuar rëndë tregjet globale”.

“Kjo situatë e krijuar si forcë madhore ka atakuar edhe prodhuesit e materialit për dokumente personale, problemi për mungesë të materialit është paraqitur në fillim të muajit gusht të këtij viti dhe nuk është e vërtetë që gjatë gjithë vitit kemi pasur problem”, ka sqaruar ministrit.

Ai tutje kishte deklaruar se MPB është në pritje të furnizimit për material të dokumenteve gjatë fundit të muajit janar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore