Shqipëria

Moti i keq në Shqipëri, një i vdekur dhe dy banesa të djegura


Moti i keq i së enjtes së 9 qershorit në Shqipëri, i shoqëruar me reshje dhe vetëtima, ka shkaktuar vdekjen e një personi dhe djegien e dy banesave, një në Malësi të Madhe dhe një në Sarandë.

Sipas njoftimit të Policisë së Shkodrës, në fshatin Dedaj, Malësi e Madhe ka mbetur i vdekur një shtetas 51 vjeç, pasi për shkak të goditjes së rrufesë është krijuar një shkëndijë elektrike, nga e cila është djegur banesa ku jetonte viktima.

Viktima, shtetasi A. I., 51 vjeç, kishte pësuar djegie të konsiderueshme në trup dhe ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe në qytetin e Sarandës, ku sipas autoriteteve në fshatin Metoq, dyshohet se, për shkak të goditjes së rrufesë, është krijuar shkëndijë elektrike në banesën e shtetasit J. A.

Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale, fatmirësisht pa lëndime në njerëz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore