Lajme

Moti i keq në Amsterdam detyron aeroportin Schiphol të anulojë 300 fluturime


Aeroporti Schiphol në Amsterdam ka anuluar të gjitha fluturimet hyrëse për shkak të stuhisë Poly që po godet kryeqytetin e Holandës dhe po prek pjesën veriore të vendit.

Deri më tani ka shkaktuar të paktën një viktimë.

Urgjenca e motit të keq ishte e parashikuar, me alarmin e kuq të shpallur mbrëmjen e djeshme.

Që nga orët e para të mëngjesit nuk janë lejuar uljet, për shkak të shikueshmërisë së dobët, por fluturimet e nisjes do të autorizohen pavarësisht vështirësive të hasura.

Referuar drejtuesve të aeroportit, urgjenca mund të zgjasë deri në orën 15:00.

Qeveria holandeze ka lëshuar tre buletine paralajmërues për të gjithë ata që janë në provincën e Noord-Holand, më të prekurit nga moti i keq.

Më pas ka dërguar një alarm telefonik celular në të gjithë banorët e Holandës së Veriut, përfshirë qytetin e Amsterdamit, t’u kërkojnë të gjithëve të qëndrojnë në shtëpi.

Probleme në zonë ka pasur edhe për qarkullimin hekurudhor, për shkak të erërave të forta, me rrebeshe deri në 145 kilometra në orë.

Aeroportet e Roterdamit, Hagës dhe Eindhoven kanë konfirmuar për momentin se të gjitha fluturimet do të vazhdojnë sipas planit.

Sipas parashikimeve, stuhia do të kalojë sot në Holandë, para se të arrijë Danimarkën dhe Gjermaninë.

Platforma meteorologjike holandeze Weerplaza e parashikon këtë si stuhinë më intensive të verës të regjistruar ndonjëherë në Holandë.

Probleme të ngjashme kishte përjetuar aeroporti në janar 2018, kur të gjitha fluturimet u anuluan për shkak të erërave të forta të shkaktuara nga stuhia Eleanor.

Nuk është ende e qartë se sa fluturime në total do të anulohen gjatë ditës, pasi kjo do të varet nga orari i ri i linjave ajrore dhe ndryshimi i kushteve të motit.

Një zëdhënës i aeroportit holandez ka thënë se numri i anulimeve përfaqëson rreth një të pestën e të gjitha fluturimeve të planifikuara në Schiphol për atë ditë, por shifra mund të rritet më tej.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore