Lajme

Moti i keq- ekipet e shpëtimit nuk kanë arritur në vendin e rrëzimit të helikopterit të Raisi-t


Sipas zëdhënësit të qeverisë iraniane Ali Bahadori Jahromi, ekipet e shpëtimit nuk kanë arritur në vendin e rrëzimit të një helikopteri që mbante presidentin iranian Ebrahim Raisi dhe ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian.

Në një prononcim për X, Jahromi tha se ekipet e shpëtimit “po përjetojnë kushte të vështira dhe të ndërlikuara” dhe pranoi se është “e drejta e njerëzve dhe mediave që të jenë të vetëdijshëm për lajmet më të fundit në lidhje me aksidentin me helikopterin e presidentit.

“Sipas koordinatave për vendin e aksidentit dhe kushtet e motit, nuk ka asnjë lajm të ri deri më tani”.

Ekipet e shpëtimit po bëjnë të gjitha përpjekjet për të arritur shpejt helikopterin e presidentit iranian, raporton agjencia e lajmeve gjysmë-zyrtare iraniane Tasnim.

Raportet e motit tregojnë se në dy orët e ardhshme moti pritet të bëhet jashtëzakonisht i ftohtë në zonën e vendit të përplasjes, gjë që mund të pengojë përparimin e shpëtimtarëve, transmeton Tasnim.

Qeveria iraniane po kërkon durim, lutje dhe besim tek shpëtimtarët që po përpiqen të arrijnë në vend, tha zëdhënësi i qeverisë Ali Bahadori-Jahromi në një postim në X.

Gjysmëhëna e Kuqe, ekipet e shpëtimit, alpinistët dhe grupet e tjera të shpëtimit shpresojnë të arrijnë në vendndodhjen e koordinatave të mundshme të helikopterit të presidentit brenda më pak se gjysmë ore, transmeton Tasnim.

Zëvendëspresidenti i Parë i Iranit, Mohammad Mokhber është rrugës për në Tabriz, zona ku u rrëzua helikopteri i presidentit të dielën, tha zëdhënësi Jahromi. Disa zyrtarë të tjerë qeveritarë janë në rrugë me të.

Presidenti iranian Raisi dyshohet se ka vdekur në aksident ajror

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore