Lajme

Moti ekstrem në Evropë: 500 miliardë euro dëme në 40 vite


Përmbytjet katastrofike dhe moti ekstrem i kanë kushtuar Evropës rreth gjysmë trilion euro, në katër dekadat e fundit, konkretisht në Gjermani, Francë dhe Itali, si vendet më të goditura.

Rreth 90 mijë vdekje nga 142 mijë u shkaktuan nga klima, gjatë periudhës 1980-2020. Shumica dërrmuese e këtyre vdekjeve vinin nga valët e të nxehtit.

Në të dhënat e publikuara nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA), të enjten, nuk tregohej qartë tendenca në rritje e vdekjeve gjatë këtyre dekadave, nga ndikimi i krizës klimatike.

Kjo sepse ndikimet ekonomike priren të përqendrohen në ngjarje të mëdha, ku më shumë se 60% e humbjeve ekonomike erdhën nga moti.

Wouter Vanneuville, nga EEA, një nga autorët kryesorë të studimit, tha se “nuk ka asnjë model të qartë për ngjarjet më ekstreme, pasi ato janë të rastësishme”.

Gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përshtatjes së infrastrukturës dhe përgatitjes për motin ekstrem, i cili ka të ngjarë të jetë më i shpeshtë dhe më intensiv, me avancimin e krizës klimatike dhe rritjen e temperaturave.

“Vendet duhet të investojnë më tej në përshtatjen e infrastrukturës”, tha ai, “sepse përparimi në mbrojtjen kundër efekteve të krizës klimatike ndryshon gjerësisht në të gjithë Evropën”.

“Edhe nëse arrijmë emetimet neto zero, para vitit 2050, do të nevojitet ende përshtatje për të mbajtur ndikimet të kufizuara”, tha ai.

Mbretëria e Bashkuar (MB) ka hequr dorë nga anëtarësimi në EEA, që nga BREXIT, megjithëse shtete të tjera jo anëtare të BE-së, si Norvegjia dhe Zvicra, janë ende anëtarë.

Të dhënat e EEA-së mbulojnë 32 vende, nga të cilat pesë janë joanëtare të BE-së.

Megjithatë, Mbretëria e Bashkuar ishte anëtare e EEA-së për periudhën e studiuar dhe humbjet e saj u llogaritën në rreth 57 miliardë euro gjatë asaj periudhe.

Ekuivalente me afërsisht 1 mijë euro për person dhe me 3 mijë e 500 vdekje.

Dëmet më të rënda ekonomike u shkaktuan nga ngjarjet “hidrologjike”, kryesisht përmbytjet, të cilat përbënin deri në 44% të humbjeve, të ndjekura nga dëmet nga pasojat “meteorologjike”, kryesisht stuhitë, të cilat arritën deri në 39%.

Marrë nga The Guardian, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore