Lajme

Moslejimi i Referendumit serb në Kosovë – “S’priten sanksione, u ofruan dy alternativa për serbët”


Ilustrim

Kundërshtimi i kërkesës së shteteve të QUINT-it nga ana e Qeverisë së Kosovës për lejimin e organizimit të Referendumit serb në territorin e Kosovës, sipas analistëve politik nuk do të rezultojë me sanksione politike ndaj Kosovës.

Kjo pasi që vendim i organit ekzekutiv ishte i duhur dhe në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Profesori universitar, Seb Bytyçi, për Albanian Post ka potencuar se pas vendimit legjitim të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e organizimit të Referendumit serb në territorin e Kosovës, nuk mund të bëhet fjalë për sanksione nga ana e shteteve të QUINT-it.

Megjithatë, ai mendon se qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes nga perceptimet që mund të krijohen se kinse ajo nuk garanton të drejtat e pakicave, ashtu siç pretendon Serbia.

“Vendimi ishte i duhur dhe pati konsensus në spektrin politik. Organizimi i referendumit nënkupton lejimin e strukturave paralele sepse ato do ta organizonin atë, prandaj pala kosovare ka arsye për ta kundërshtuar atë”, ka thënë ai për AP.

Bytyçi, për AP ka komentuar edhe deklaratën e Zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, i cili ka shprehur keqardhje që autoritetet e Kosovës nuk e lejuan votimin e qytetarëve serb të Kosovës për Referendumin kushtetues në Serbi.

“Deklarata ishte shprehje e keqardhje për pamundësinë e gjetjes së një marrëveshje, që lë të kuptohet se negociatat kanë dështuar dhe faji nuk është vetëm i Kosovës”, ka deklaruar shkurt ai.

Seb Bytyçi

Në anën tjetër për analistin politik, Gazmir Raci, vendimi i institucioneve vendore për moslejimin e Referendumit nuk ishte refuzuese, por përkundrazi kishte ofruar dy mundësi ligjore, pra atë të votimit përmes postës ose nga zyra ndërlidhëse e shtetit serb në Kosovë.

“Për këtë arsye faktori ndërkombëtarë nuk ka çka e si të vendos sanksione Kosovës. Ky refuzim ishte në mbështetje nga të gjitha partitë politike shqiptare dhe komunitetet e tjera”, ka thënë Raci për AP.

Gazmir Raci

Ndryshe më 12 janar të këtij viti Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një bisede telefonike ia kishte bërë të qartë Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politik të Jashtme, Josep Borrell se Serbet në Kosovë të cilët kanë shtetësi të dyfishtë mund të votojnë në referendumin e Serbisë nëpërmjet postës apo në zyrën ndërlidhëse në Prishtinë, e assesi brenda territorit të Kosovës.

Reagimi ndaj qëndrimit të parit të ekzekutivit qe e menjëhershme nga ana e shteteve të QUINT-it të cilët përmes një komunikate të përbashkët kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mundësojë që serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhjet dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

Qëndrimi i shtetit të Kosovës në lidhje me moslejimin e zhvillimit të referendumit serb në Kosovë ishte ri-konfirmuar edhe pas takimit që krerët institucional të vendit kishin pasur me ambasadorët e QUINTI-it të premten e 14 janarit.

“Hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare”, thuhej mes tjerash në deklaratën e përbashkët të tre liderëve të shtetit, Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.

Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe Vjosa Osmani

Mos-lejimi i organizimit të referendumit serb në Kosovë u betonua edhe me miratimin e një rezolute nga ana e Kuvendit të Kosovës, të shtunën e 15 janarit ku 76 deputetët kosovarë në një seancë të jashtëzakonshme një zëri votuan për rezolutën e cila konfirmoi qëndrimin e shtetit të Kosovës për parandalimin e Referendumit serb në Kosovë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës si dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës si dhe normat dhe praktikat ndërkombëtare”, thuhej në njërën ndër tetë pikat e rezolutës, të harmonizuar mes 4 grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore