Sport

Moska, aty ku mbaroi “romanca” mes Napoli-t dhe Maradona-s


Kur fillon të ftohet një dashuri e fortë? Në cilën pikë përgjatë rrugës të dyja palët e kuptojnë se janë më mirë pa njëra-tjetrën? Kur fillon e keqja të tejkalojë të mirat?

Historia mes Diego Maradona-s dhe Napol-it është një përmbledhje e përsosur e kësaj, një romance dikur “dehëse” që me kalimin e kohës bëhet e padurueshme.

Por kur ishte pika e kthesës?

Shumë besojnë se ajo erdhi disa minuta pasi skuadra italiane fitoi Kupën UEFA 1989. Kur, pasi iu premtua nga pronari i klubit, Corrado Ferlaino se ai mund të largohej për te Marseille atë verë, nëse do të sillte trofeun e parë të madh evropian.

Pas finales dhe trofeut, në “Neckarstadion” të Shtutgart, Ferlaino i pëshpëriti butësisht në vesh sulmuesit argjentinas se ai nuk po shkonte askund dhe se në fakt Marseille ishte ishte përdorur si mjet motivimi për Maradona-n.

“Doja t’i thyeja kupën mbi kokë”, shkroi Maradona në autobiografinë e tij të vitit 2000.

Të tjerë kanë vënë në dukje “racizmin” për ndarjen veri/jug. Që nga momenti kur shkeli për herë të parë në Napoli, ylli u shpreh kundër diskriminimit të vuajtur nga italianët e jugut, duke e bërë atë një hero popullor në qytet.

Ndonëse makiaveliste për sa i përket kohës, përgojimi i Maradona-s ishte përgjithësisht një reflektim i drejtë mbi mënyrën se si shumë italianë – atëherë dhe tani – i shohin napolitanët.

Kjo i preku pak në kockë shumë njerëzve brenda Federatës Italiane të Futbollit dhe Maradona gjithmonë besonte se kjo, dhe fitorja e mëpasshme e Argjentinës ndaj Italisë (4-3 pen.), ishte “gjuajtja e vdekjes” për karrierën e tij te Napoli.

Por, fundi i marredhenies mes klubit dhe futbollistit argjentinas erdhi në nëntor 1990, kur Napoli duhej të përballej me Spartak Moskën në raundin e dytë të Kupës Evropiane.

Napoli kishte mposhtur ekipin hungarez Ujpesti Dozsa në raundin e parë, duke fituar 5-0 në total, me Maradona-n që shënoi dy herë në ndeshjen e pare (3-0).

Në raundin tjetër, italianët u përballën me kampionët rusë në mes të shpërbërjes së ngadaltë të Bashkimit Sovjetik.

Ndeshja e parë, në “San Paolo” (tani “Diego Armando Maradona”), përfundoi pa gola. Maradona ishte në më të mirën e tij, ndoshta me paraqitjen e tij të fundit të shkëlqyer për Napoli-n.

Napoli do të fluturonte për në Moskë dy ditë para ndeshjes. Të gjithë ishin të pranishëm, përveç Maradona-s.

Kjo ishte bërë praktikë standarde në vitet e fundit, ku ai do të mbërrinte pikërisht në fund.

“Klubi u përpoq të na siguronte se Diego do të vinte”, shkroi Ciro Ferrara në librin e tij, “Ho Visto Diego” (Kam parë Diego) për atë epokë të Napoli-t.

“Ai do të arrijë sonte për të ngrënë me ne. Pastaj u bë ‘ai do të jetë atje nesër për drekë’. Më pas, me biletat për në Moskë në xhepa, ata thanë ‘Diego po vjen në aeroport!’ por ai nuk e bëri”, vijoi ai.

Ferrara më pas bashkoi një grup lojtarësh që vendosën të merrnin situatën në duart e tyre. Ata shkuan në shtëpinë e Maradonas për ta bindur atë të luante.

Megjithatë, ata nuk u pritën në derë nga kapiteni i tyre, por nga gruaja e tij e atëhershme, Claudia Villafane.

Villafane, sipas Ferrara ishte dukshëm e mërzitur dhe tha “Djema, Diego nuk do të shkojë këtë herë”. Ndërkohë, Maradona po flinte dhe Napoli u nis pa të në Moskë.

Pasi u zgjua përfundimisht nga gjumi dhe ndoshta pati një moment maturie, Maradona u pendua për vendimin e tij për të mos marrë parasysh thirrjen e shokëve të skuadrës.

Pavarësisht gjithçkaje, Maradona ishte gjithmon lojtar grupi, i gatshëm për të shkuar në betejë së bashku me shokët e tij të skuadrës.

Argjentinasi la pas dhimbjet nga kokaina dhe alkooli dhe rezervoi një avion privat me shpenzimet e tij dhe fluturoi për në Moskë, duke mbërritur vonë të martën në mbrëmje.

Madje, ai mbërriti aq vonë sa hoteli ku po qëndronte kishte mbyllur kuzhinën. Por, kjo nuk i bëri përshtypje Maradona-s.

I veshur në mënyrë të përshtatshme për dimrin rus, duke mbajtur një pallto të gjatë gëzofi, Maradona vendosi të vizitoj “Sheshin e Kuq” në orën dy të mëngjesit.

I shoqëruar nga policia ruse, një problem u ngrit kur iu tha se ishte mbyllur për shkak të festimeve të përvjetorit të “Revolucionit të Tetorit” të nesërmen, me një paradë që do të zhvillohej aty.

Mirëpo, Maradona, nuk ishte mësuar të dëgjonte jo dhe nuk duhej mohuar.

Ai bëri çmos që rojet në “Sheshin e Kuq” të thyenin nivelet më të larta të protokollit sovjetik dhe ta lejonin të hynte. Atij iu bë një vizitë me guidë në shesh dhe vizitoi mauzoleun e Leninit.

Është e lehtë të harrohet se ky ishte futbollisti më i madh në botë, që do të luante në një ndeshje të dytë të Kupës Evropiane pas 12 orësh, dhe jo ndonjë yll rock që vuante nga pagjumësia dhe kështu vriste disa orë në mes të natës.

Kjo ishte ende në epokën kur “Perdja e Hekurt”, mbante “të ndara” skuadrat e Europës Lindore, me shumicën e lojtarëve që nuk ishin në gjendje të largoheshin për në perëndim derisa të arrinin të 20-at.

Spartak kishte lojtarë të talentuar si Igor Shalimov, Aleksandr Mostovoi dhe Valeri Karpin, të cilët të gjithë do të bënin udhëtimin drejt perëndimit pas rënies së komunizmit.

Një turmë prej 86 mijë njerëzish brenda stadiumit “Lenin” (tani “Luzhniki”) pane se numri “10” i Napoli-t nuk ishte Maradona, por Gianfranco Zola.

Napoli ishte mjaftuar me Maradona-n dhe e kishte paralajmëruar se nëse nuk arrinte me skuadrën në Moskë, ai do të largohej dhe ata e mbajtën fjalën.

Në minutën e 63-të, Maradona u thirr nga pankina për të “siguruar” fitoren. Numri “10” më i madh i Napoli-t tani kishte veshur “16”-ën.

Sfida do të përfundonte në barazim dhe Spartak-u do të kalonte në raundin tjetër, pasi triumfoi 5-3 me penallti.

Maradona vetëm gjashtë herë luajti në Kupën Evropiane dhe nuk do të luante më kurrë në turne të tillë.

Eliminimi i hershëm e tërboi Napoli-n, duke i kushtuar miliona dhe një çerekfinale përballë Real Madrid-it.

Ferlaino dhe drejtori sportiv, Luciano Moggi, vendosën që sjellja e paqëndrueshme e Maradona-s nuk mund të tolerohej më, shfaqjet e tij nuk mund ta justifikonin më atë.

Por, ata nuk mund ta shisnin argjentinasin për shkak të popullaritetit të lartë që gëzonte në qytet dhe te mbështetësit e klubit. Ndërsa, Moggi duhet të siguronte që Maradona të dilte i pastër në testet e drogës.

Veset e Maradona-s ishin sekreti më i keq i mbajtur në Serie A dhe, me sa duket, ata do ta lejonin atë të bëhej vartës më shumë seç ishte.

Edhe Ferrara, i cili ende e kishte idhull Maradona-n, beson se Moska ishte “fillimi i fundit”.

Fundi erdhi më shpejt nga sa pritej. Në shkurt 1991, një hetim mbi një rrjet seksi dhe droge të drejtuar nga “Camorra” në Napoli zbuloi zërin e Maradona-s në përgjime, të cilat më pas u zbuluan në gazeta.

Dhe ai dështoi në një test droge pas ndeshjes kundër Bari-t më 17 mars 1991.

Maradona u dënua për 15 muaj pezullim dhe reputacioni i tij u prish në moshën 30-vjeçare. Ndërkohë Napoli përfundoi i 8-ti në Serie A dhe nuk e ka fituar kurrë Scudetto-n që atëherë.

Një epokë e lavdishme pati fundin më të palavdishëm, por as Napoli dhe as Maradona nuk ishin kurrë njësoj pa njëri-tjetrin.

Një udhëtim në Moskë ndryshoi gjithçka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore