Lajme

Mosfunksionimi i aparaturave për diagnostikim, stafi shëndetësor s’ka informacione për rregullimin e tyre


Kjo aparaturë e CT-së në Klinikën Neurologjsë është jashtë funksionit për shkak të prishjes, Foto: REL/RFE

Pavarësisht aparaturave të reja që investohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pacientët duhet të presin akoma për të marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor nga to.

Rastet si i Avdyl Berishës i cili ishte udhëzuar nga ambulanca e fshatit të tij, Sllatinë – komuna e Fushë Kosovës të bënte një rëntgen në QKUK, pasi kishte dyshime për ndrydhje të kockave e më pas të endet në klinikat e QKUK-së derisa përfundoi në Klinikën Emergjente, janë mjaft të shpeshta.

“E kam bërë në Emergjencë, por nuk po duket mirë. Tri herë kam ardhur këtu jo hyr në bodrum, jo dil atje”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Kjo pajisje që u shërben mjekëve për të parë dhe vlerësuar kockat e thyera, por edhe për të diagnostikuar probleme të tjera në trupin e njeriut nuk punon aty për më shumë se dy muaj.

Madje nuk dihet se as kur do të kthehet në funksion kjo aparaturë.

“Pas verifikimit të prishjeve, drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) i ka marrë të gjitha masat dhe ka hapur procedurat e tenderimit që aparaturat të rregullohen”, deklaroi drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza.

Klinika që udhëheq ajo, është përgjegjëse për aparaturat që funksionojnë me rreze brenda QKUK-së e sipas drejtorit të Neurologjisë, Edmond Komoni, mosfunksionimi i saj po u shkakton vështirësi si pacientëve, ashtu edhe punonjësve.

Njëra nga aparaturat në QKUK.

“Meqenëse rastet janë të rënda te Klinika e Neurologjisë, pacientët lëvizin me vështirësi. Ne mundohemi t’i kompensojmë… shfrytëzojmë tompografitë e kompjuterizuara, të cilat gjenden tek Emergjenca ose tek objekti i Onkologjisë, por për shkak se pacientët duhet të barten, kjo na merr shumë kohë dhe na e vështirëson punën”.

As për këtë aparaturë, askush prej mjekëve apo stafit tjetër nuk ofron informacion të saktë se kur do të kthehet në funksion, derisa disa metra më larg, në Klinikën e Pediatrisë, qëndron aparatura MRI, e cila është funksionale vetëm deri në orën 13:00 – pas kësaj kohe nuk ka mjekë për të operuar me të.

Me të operojnë radiologët, 28 sish në QKUK, por tash për tash nuk ka orar për ndërrimin e dytë.

Udhëheqës të QKUK-së konfirmojnë për REL-in se kanë kërkuar nga Klinika e Radiologjisë që ta shqyrtojë zgjatjen e orarit të punës me MRI, por se vendimi është ende në shqyrtim e sipër.

“Janë kryer disa raste – cista të veshkës, ndërsa operime të tjera nuk janë bërë me laparaskop. Për të vazhduar me operacione të tjera laparoskopike, duhen trajnime në vazhdimësi. Shpresoj që, vitin që vjen, në bashkëpunim me SHSKUK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë, t’i dërgojmë kolegët për trajnime laparoskopie (jashtë shtetit)”.

Në Kirurgjinë Plastike të QKUK-së, ndërkaq, minimalisht përdoret mikroskopi për implantimin e gishtërinjve.

Drejtoresha e kësaj klinike, Violeta Zatriqi, thotë se nuk ka staf të mjaftueshëm që është i specializuar për përdorimin e kësaj pajisjeje.

“Është edhe një problem tjetër, se mikroskopi ndodhet në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ndërsa rastet urgjente kryhen në Emergjencë dhe mikroskopi nuk është aparat që mund të lëvizë. Kjo është një prej arsyeve pse nuk shfrytëzohet në rastet emergjente”, ka thënë Zatriqi.

Të gjitha këto aparatura që nuk shfrytëzohen me kapacitete të plota janë të vjetra vetëm 1-2 vjet dhe me kosto prej qindra mijëra eurosh.

Përgjegjëse për mungesën e këtyre shërbimeve është Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK).

Më 13 dhjetor, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se pajisja e re mjekësore ultrazëri endoskopik do të jetë për përdorim nga janari në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke thënë se është nga të vetmit në Ballkanin Perëndimor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore