Shqipëria

Mosekzekutimi i vendimit të Kushtetueses për Teatrin Kombëtar përfundon në GJEDNJ


Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) ka pranuar kërkesën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit lidhur me gjykimin e çështjes së mosekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar.

Lajmi u bë i ditur në median sociale Facebook të aleancës.

“Kemi kënaqësinë t’ju njoftojmë se ndryshe nga Gjykata jonë Kushtetuese e cila nuk pati kurajon të mbroje vendimin e saj dhe të ngrihet në lartësinë e detyrës, Gjykata e Strasburgut ka pranuar kërkesën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe ka kaluar për gjykim çështjen e mos ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese që lidhet me Teatrin Kombëtar”, shkruhet në njoftimin e tyre.

Sipas aleancës, ky vendim shënon kulmin e betejës së tyre ligjore lidhur me Teatrin Kombëtar.

“Jemi më të motivuar se kurrë për ta çuar deri në fund kauzën tonë, teatri aty dhe ashtu siç ishte”, theksohet në përmbyllje të reagimit.

No photo description available.

Kujtojmë që më 21 dhjetor të vitit të kaluar nisën punimet për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Orët e para të 17 majit të vitit 2020, do ta gjenin gjithë Shqipërinë, por veçanërisht kryeqytetin, përballë lajmit të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.

Ngjarja menjëherë krijoi një dyzim në opinionin publik dhe mbi të gjitha, nisi një zanafillë konfliktesh midis disa palëve.

Prej dy vjetësh, disa aktorë të Teatrit, por edhe aktivistë, i kishin dalë kundër propozimit fillimisht dhe më pas vendimit të Qeverisë, për të prishur godinën. Kjo, sepse sipas tyre, Teatri ishte pjesë e trashëgimisë kulturore dhe nuk mund të prekej.

Nëntë ditë përpara prishjes, më 8 maj 2020, Teatri Kombëtar i kaloi përfundimisht Bashkisë së Tiranës në pronësi. Ishte pikërisht ky vendim, ai i cili i hapi rrugë prishjes së godinës.

Prishja shkaktoi një sërë protestash publike edhe pse vendi gjendej në kohë pandemie. Jo të pakta ishin edhe rastet kur pati konfrontim fizik midis aktivistëve dhe policisë.

Por, ajo që mbetej, ishte një shesh bosh, nje plan i ri për teatrin dhe një grupim njerëzish të mbështetur nga presidenti, për të çuar kauzën në Gjykatën Kushtetuese.

Debati për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar nisi në fund të 2017 dhe fillim të vitit 2018, por shembja e godinës u bë pasi kryebashkiaku Erion Veliaj arriti marrëveshjen me artistët për ndërtimin e godinës së re.

Nga ana tjetër, Presidenca e çoi në Gjykatën Kushtetuese, ku bëri një shtim objekt padie kërkuar pezullimin e zbatimit të çdo akti e veprimi që buroi prej ligjit të Teatrit dhe VKM-së, por Kushtetuesja nuk e pranoi këtë kërkesë të Presidencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore