Mosekzekutimi i pagave, Fetahu: Pozita e Drejtorit të Thesarit s’mund të mbetet vakante për asnjë ditë të vetme

Avokati kosovar kërkon që Qeveria e Kosovës të mbajë mbledhje urgjente për të marr vendim për transferimin e përkohshëm të një zyrtari të nivelit të lartë drejtues në pozitën e Drejtorit të Thesarit
SHFLETO

Faton Fetahu

 

Dreni Himbeqa
01.10.2024 15:23
Loading Icons...

Avokati, Faton Fetahu, duke komentuar mosekzekutimin e pagave për 85 mijë zyrtarët e sektorit publik, ka potencuar se një rast i tillë dëshmon edhe njëherë paaftësinë e Qeverisë aktuale të Kosovës “për të adresuar kërkesën e qartë të ligjit në fuqi për Zyrtarët Publik”.

Që nga e hëna zyrtarët publikë kanë mbetur pa paga, kjo për shkak të skadimit të mandatit të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, andaj Fetahu vlerëson se kjo pozitë për shkak të peshës dhe rëndësisë së saj nuk mund të mbetet vakante për asnjë ditë të vetme.

“Neni 35-të i ligjit në fuqi për Zyrtarët Publik, i cili shprehimisht përcakton që pozitat e lira nuk mund të zëvendësohen me ‘ushtrues detyre’ për një periudhë më të gjatë se një vit”, ka shkruar ai në platformën sociale Facebook, duke potencuar se paragrafi i pestë i këtij neni “konsideron se është i paligjshëm çdo vendim i marrë nga ushtruesi i detyrës pas kalimit të afatit një vjeçar”.

Ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të mbajë mbledhje urgjente “në të cilën do të marrë vendim për transferimin e përkohshëm (deri në 6 muaj) të një zyrtari të nivelit të lartë drejtues, në pozitën e Drejtorit të Thesarit, në bazë të nenit 63, par. 1 të Ligjit për Zyrtarët Publik (për shembull transferimin e një Sekretari të Përgjithshëm të një ministrie)”.

“Ushtruesi i detyrës i Drejtorit të Thesarit nga pika 1 e propozimit, të ushtrojë efektivisht detyrën përkatëse dhe të sigurojë në afatin sa më të shkurtër kohor që të ekzekutoj urgjentisht pagat në sektorin publik dhe të procedojë të gjitha pagesat që derivojnë nga ushtrimi i veprimtarive publike dhe shtetërore”, ka shtuar ai.

Qeveria e Kosovës dhe ministritë përkatëse, duke përfshirë agjencitë ekzekutive, sipas Fetahut duhet të zëvendësojnë pozitat e mbetura vakante me zyrtarë të transferuar përkohësisht dhe të “sigurohen që pozitat e zyrtarëve ku janë realizuar transferet e përkohshme të rekrutohen në pajtim me legjislacionin në fuqi”.