Lajme

Mos-zbatimi i marrëveshjes nga pushteti me minatorët: S’përjashtojmë asnjëherë veprimet sindikale


Minatorët e Trepçës.

Pas mos-zbatimit të marrëveshjes nga pushteti me minatorët e Trepçës, të cilëve akoma s’u janë dhënë pagat e plotë, kryetari i Sindikatës së Trepçës, Ibrahim Januzi, në një përgjigje për Albanian Post, ka thënë se “asnjëherë nuk i përjashtojnë veprimet sindikale”.

Januzi, ka ritheksuar se marrëveshja të cilën e kishin arritur me pushtetin për plotësimin e tri kushteve të tyre që ishin pranimi i pagave me kohë, shkarkimi i kryeshefit dhe përmirësimi i kushteve, pushteti s’po u përmbahet.

“Marrëveshjes nuk po i përmbahen, pagat nuk na janë dhënë të plota. Nuk përjashtohen asnjëherë veprimet sindikale”, ka deklaruar Januzi për Albanian Post.

Greva e minatorëve

Afër 300 persona që nga 24 tetori në kombinatin metalurgjik Trepça – i cili gjendet në jug dhe në Veri të Mitrovicës, kanë qëndruar në thellësi të kësaj miniere duke kërkuar plotësimin e tri kërkesave, përmirësimin e kushteve, t’u dalin pagat me kohë si dhe të shkarkohet menaxhmenti.

Me uniformë të vjetruar, çizme të baltosura e helmetë të zymtuar minatorët punojnë tash e sa vjet në këtë minierë.

Kërkesë e tyre ka qenë vazhdimisht përmirësimi i kushteve, por që asnjëherë s’u dëgjuan nga pushteti.

Kjo ka dërguar në greva të njëpasnjëshme, por kjo e fundit rezultoi edhe me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të rreth 250 punëtorëve.

Një takim i mbajtur mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pozitë e opozitë, të martën, me sindikatën e Trepçës nuk çoi në ndonjë rezultat që kjo grevë të ndalohet.

Grevistët më pas morën një premtim nga pushteti se kërkesat e tyre do të realizohet për këtë arsye greva e tyre u ndërpre, por që të njejtës marrëveshje pushteti s’po i përmbahet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore