Kosova

“Mos i vrisni provat”, Selmanaj: Urgjentisht të nisin hetimet për incizimet që tregoi Abazi


Driton Selmanaj

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj, ka kërkuar që sa më parë të publikohen incizimet që i ka përmendur Haki Abazi lidhur me zhdukjen e mostrave në rastin e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Selmanaj përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, tha se pasi të publikohen video/incizimet e pretenduara, të nisin urgjentisht hetimet nga Prokuroria Speciale e Kosovës lidhur me zhdukjen e mostrave të gjakut nga Laboratori i Mjekësisë Ligjore.

“Të hetohet në mënyrë urgjente incizimi i potencuar i deputetit Abazi për vjedhjen e provave në rastin Dehari. Njëherit, e dënojmë fshehjen e mundur të incizimit të këtij rasti të rëndë nga ministrja e Drejtësisë”, shkroi Selmanaj.

“Njëherit, e dënojmë fshehjen e mundur të incizimit të këtij rasti të rëndë nga ministrja e Drejtësisë. Po ashtu, e dënojmë fuqishëm heshtjen e kryeministrit për këtë ngjarje të fshehur e të tmerrshme”, shtoi deputeti i LDK-së.

Në një konferencë për media, deputeti i partisë në pushtet, Haki Abazi, ka bërë të ditur se ai është në dijeni të video-incizimeve të cilat, sipas tij, konfirmojnë se kush i ka zhdukur mostrat në rastin Dehari.

Abazi duke folur për mostrat e gjakut të Deharit që muaj më parë u zhdukën nga IML-ja ka thënë se Prokuroria duhet ta intervistojë kryeministrin Albin Kurti, ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu e disa anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes.

Pikërisht kjo dijeni dhe hulumtimi i Abazit i bërë në këtë drejtim, sipas tij, kanë sjellë deri te shkarkimi i tij nga posti i kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme dhe anëtarit të Komisionit për Stabilizim Asociim edhe anatemimit të tij brenda Lëvizjes Vetëvendosje.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë para gazetarëve se nuk e di për çka e ka fjalën deputeti Abazi, por shtoi se është e gatshme t’i përgjigjet ftesës së prokurorit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë për Albanain Post se do ta ftoj për ta intervistuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazin, ndërsa kur është pyetur nëse do ta ftojë kryeministrin Albin Kurti dhe ministren Haxhiu për t’i intervistuar, ai ka theksuar se këta të fundit “nuk do t’i ftojmë njëherë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore