“Mos e shani Shqipninë, mos pshtyni mbi gjakun tuaj”, thotë Latifi pas fjalimit të Ramës në OKB për Kosovën

Latifi tha se vendet e tjera folën për hallet e veta dhe krizat ndërkombëtare, por jo edhe për Kosovën, siç bëri kryeministri Rama.
SHFLETO

Edi Rama

 

Dini Fetahu
28.09.2024 16:49
Loading Icons...

Profesori i Filozofisë, Blerim Latifi, duke komentuar fjalimin e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), posaçërisht pjesën për Kosovën, tha se ishte i vetmi zë që u dëgjua atje për vendin tonë, pasi që theksoi se Shqipëria është vendi i vetëm që ndjen hallet tona.

Në fjalimin e tij në OKB, Kryeministri Rama theksoi se Kosova është një realitet i pakthyeshëm, derisa çdo paralele mes Kosovës dhe zonave të pushtuara të Ukrainës – që bëhet më së shumti nga Rusia – e konsideroi si përpjekje të shpërqendrimit të opinionit ndërkombëtar dhe jo vetëm.

“A e patë me sy dhe e dëgjuat me vesh: I vetmi zë për Kosovën që këtë vit u dëgjua në foltoren e OKB-së, ishte zani i Shqipnisë”, shkroi fillimisht Latifi.

Të tjerët, analisti politik theksoi se folën për hallet e veta dhe krizat tjera që po e trondisin botën gjithandej.

“Askush një fjali se tha për ne. Sepse, në fund të fundit, veç Shqipnia i ndjen hallet e dhimbjet tona më të thella, me të cilat bota nuk ka më kohë të merret”, shtoi.

Prandaj, Latifi kërkoi që të “mos e shani Shqipninë!”. “Mos pshtyni mbi gjakun tuaj!”, përfundoi.

Çka tha Rama për Kosovën në OKB?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij në sesionin e 79-të të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së, tha se “Republika jonë simotër e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm si shtet mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, “me një perspektivë të qartë evropiane dhe aleancë të padiskutueshme me komunitetin e madh demokratik të kombeve”.

“Çdo paralele e hequr artificialisht midis Kosovës dhe zonave të pushtuara të Ukrainës ka për synim të shpërqendrojë dhe të hutojë këdo që është e mundur që është në këtë ndërtesë dhe në të gjithë opinionin ndërkombëtar”, shtoi.

Por, kryeministri shqiptar u shpreh i bindur se kurrë nuk mund t’ia dalin të zbehin të vërtetën.

“Që është; Kosova është tashmë një pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar, një anëtare aspirante e komunitetit euroatlantik e nuk duhet të mbahet peng nga askush me pretendime dhe justifikime të rreme, duke nisur nga grupi i pesë shteteve anëtare të BE-së që nuk e njohin vendin që i takon me të drejtë Kosovës në çdo organizatë e forum ndërkombëtar”.

Fjalimin në OKB, Rama e mbajti të premten, ndërsa të shtunën e shpërndau në Facebook pjesën ku ka folur për Kosovën, derisa ironizoi me të gjithë ata që e kanë akuzuar për lidhje të afërta me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Ja si flet një tradhtar i vërtetë i Kosovës, i cili me këtë rast iu dërgon të fala vëllazërore krejt atyre që prej Kosove, e shajnë me nanë e me babë si ‘vëllaun e Vuçiç-it’”, shkroi Rama.