Kosova

Mori pjesë në konfliktin në Siri, aktakuzë për “krime kundër njerëzimit” ndaj një kosovari


Ilustrim

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të premten se ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi kosovar për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “krim kundër njerëzimit”, nga neni 143 i Kodit Penal të Kosovës dhe veprën penale “Shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar”.

Sipas Prokurorisë Speciale, këto vepra u kryen ndaj vajzave dhe grave të komunitetit “Yazzid” gjatë konfliktit në Siri dhe Irak në periudhën kohore 2014-2017.

Në njoftimin e PSK-së theksohet se cështja në fjalë tashmë ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

Po ashtu, Prokuroria ka njoftuar se i pandehuri deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës, gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Ndryshe, rreth 300 kosovarë kishin marrë rrugën për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS – një grup i dhunshëm dhe ekstremist i motivuar nga një version ekstremist i islamit suni – që vepronte në disa shtete të lindjes së mesme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore