Monika Kryemadhi/ Djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale, e gabuar

SHFLETO
Orges Permargjeta
28.04.2021 11:53
Loading Icons...

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, gjatë një deklarate për mediat ka folur për rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit 2021 në Shqipëri.

Ajo u shpreh se pushtetin, tashmë e kanë marrë oligarkët dhe bandat.

“Dua të uroj fitoren e oligarkëve dhe bandave, që janë fituesit e vërtetë të zgjedhjeve, të parët që duhen uruar”.

Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi theksoi se, nga 81 mijë vota të pavlefshme, 70% e tyre janë të LSI-së, por të shpallura të pavlefshme nga PS-ja.

“Sot u mbyllën rezultatet e zgjedhjeve për mandatet. Dua të falënderoj 107 mijë votuesit e LSI-së, dua të falënderoj 81 mijë votuesit që vota e tyre u shpall e pavarur, ku 70% e tyre janë të LSI-së”.

Gjithashtu, ajo pranoi që strategjia e përdorur, që nga lënia e mandateve deri te mosmarrja pjesë në zgjedhjet lokale, thjesht u dha më shumë pushtet bandave.

“Patëm strategji të gabuar, duke nisur që nga djegia e mandateve, mosmarrja pjesë në zgjedhjet lokale, që i dhamë dashje pa dashje pushtet Edi Ramës, bandave dhe oligarkëve”.

Po ashtu, numri një i LSI-së i kërkoi falje presidentit dhe njëkohësisht bashkëshortit të saj, Ilir Meta, për strategjinë e ndjekur.

“Koha dhe ky rezultat tregoi që shqetësimi i presidentit të Republikës ishte i drejtë. Prandaj dua që në emër të LSI dhe timin personal t’i kërkoj falje për këtë qëndrim, që nuk solli gjë tjetër vetëm rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe oligarkët”.

Monika Kryemadhi shtoi se nuk do të tërhiqen, “por do ta vazhdojmë betejën tonë edhe më tutje. LSI nuk do të jetë vetëm në Parlament, por në sheshe dhe çdo shtëpi të qytetarëve shqiptarë”.

Kryemadhi shtoi që janë të paktën tre mandate për të cilat duhet luftuar, sepse janë marrë nga PS-ja në mënyrë të padrejtë.

“U bëj thirrje numëruesve, sepse në Durrës, ku Edi Rama merr mandatin e Elona Gurit vetëm me 139 vota, kanë dalë fletë të pavlefshme. Tradhtia më e madhe vjen në tre mandatet e Beratit, Korçës dhe Durrësit. Kjo është tradhtia më e madhe vetëm në tre mandate, pa llogaritur të gjithë procesin zgjedhor”.

Ajo e quajti procesin e votimeve si të njëanshëm, ndërsa akuzoi mediat për montimet që u janë bërë kandidatëve të LSI-së, për vjedhje votash.

“Ky proces i manipuluar, para, gjatë dhe pas votimit, që nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese, në dhunimin e Kushtetutës në mënyrën më flagrante, në përdorimin e policisë dhe prokurorisë, sa dhe për të blerë bukën mbështetësit e LSI-së nuk kishin para në xhep. Mjafton të shohësh manipulimin mediatik të dy mediave kombëtare”.

Kryetarja e LSI-së akuzoi sistemin si të “dalë boje”, duke “thumbuar” PSD-në.

“Ky sistem është një sistem që i doli boja. Mjafton të shikosh që LSI me 107 mijë vota merr 4 mandate dhe një parti me 35 mijë vota merr 3 mandate. Ky është sistemi kriminal. Beteja jonë vazhdon, nuk do të ndalet”.