Sport

Monchengladbach, vera pritet të sjellë shtatë largime me peshë


Borussia Monchengladbach-u pritet të “boshatiset” në verën e ardhshme. Matthias Ginter-i do të jetë largim i sigurtë, pasi përfundon kontratën. Por, ai nuk do të jetë i vetmi që do të largohet.

Ginter-i e zyrtarizoi në Instagram-in personal, që nuk ka dakordësi për zgjatjen e kontratës në “Borussia-Park” dhe ai do të largohet në verë.

Sipas gazetës gjermane “Bild”, rrugën e Ginter-it pritet ta ndjekmin edhe disa lojtarë të tjerë me peshë në formacionin e Gladbach-ut.

Keanan Bennetts-i, Hannes Wolf-i, Marcus Thuram-i, Denis Zakaria, Alassane Plea dhe Laszlo Benes-i ka gjasa të largohen.

Bennetts-i dhe Wolf-i nuk janë më pjesë e planeve të trajnerit të Gladbach-ut, Adi Hutter-it, sipas tabloidit gjerman. Per Wolf-in ka interes nga Trabzonspor-i, Celtic-u dhe Rapid Wien-a.

Thuram-i gjithashtu është vënë në shitje. Nuk përjashtohet largimi në janar. Francezi mund të ishte larguar në drejtim të Inter-it verën e kaluar për shifrën e 37 milionë eurove. Por, një dëmtim e bëri të pamundur transferimin.

Zakaria, ashtu si Ginter-i, përfundon kontratën në verën e ardhshme dhe nuk dëshiron të rinovojë. Borussia Dortmund-i, Juventus-i dhe Roma janë të interesura për të.

Plea dhe Benes-i do të lejohen të largohen nëse bëhen oferta të përshtatshme për ta, raporton “Bild”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore