
Kryetar i Partisë Social Demokrate të Kosovës, Dardan Molliqaj, ka thënë se vizitat e ndërmjetësuesve të dialogut Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar në Kosovë, kanë ardhur si rezultat i “budallakive të rrezikshme”, të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
“Vizita e Lajçakut dhe Escobarit në Kosovë po vjen prej budallakive të rrezikshme, tepër të rrezikshme të Albin Kurtit që procesin e Kosovës po e rrezikojnë”, tha Molliqaj në Kanal 10.
Ai ka theksuar se është pro një marrëveshje politike me serbët e Kosovës e Serbinë, por thotë se “çka është kah bënë Kurti duke ua dërguar policinë, e duke bërë kompromis nuk bëhet zgjidhja”.
“Serbët nuk duhet të terrorizohen nga policia jonë. Grupet e krimit na qenkan ata që kanë prodhuar kriptovaluta?”.
Ndryshe në Kosovë po qëndron për vizitë i dërguari i Shteteve të Bashkuar të Amerikës për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.
Ky i fundit është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Në takim me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, potencova se Kosova do të vazhdojë të jetë palë konstruktive, e barabartë dhe e përkushtuar në procesin e dialogut, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Sipas saj, institucionet e Kosovës janë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtar dhe “çdo vendim i yni reflekton frymën kushtetuese të vendit tonë dhe vlerat tona demokratike”.
Pas takimit me presidenten, Esocbar ka ftuar në takim tre liderët opozitar – Memli Krasniqin (PDK), Lumir Abdixhikun (LDK) dhe Ramush Haradinajn (AAK).
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com