Molliqaj: Nëse pushtetit i del papunësia 4%, 96% të mbetura janë manipulim

SHFLETO
Valon Rashiti
18.09.2024 12:49
Loading Icons...

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka “manipuluar” me shifra pasi partia në pushtet ka njoftuar se në Kosovë papunësia është vetëm 4 për qind.

“4% papunësi, 96% manipulim. Ekuacionet dinë me qenë edhe më të lehta se ai të cilin Kurti e gaboi: nëse pushtetit i del papunësia 4%, 96% të mbetura janë manipulim. Në tërësi bëjnë 100 për qind mashtrim”, shkroi ai në Facebook.

Sipas Molliqajt, në vend të sondazheve me 1000 të anketuar, ku niveli i papunësisë as që mund të jetë reprezentativ për gjithë vendin, Qeveria le të nxjerrë të dhënat për braktisjen e Kosovës nga njerëzit dhe lehtësisht vërehet korelacioni mes ikjes dhe uljes së papunësisë.

“Dilema që krijohet pastaj është cilave statistika me i besu, sepse papunësia e përgjithshme në BE ështe 6%. Pse po ikin njerëzit nga Kosova, kur kemi me pak të papunë sesa shumica e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian?”, ka pyetur ai.

“Ka gjëra në fakt që kjo Qeveri ka arritur me i zhduk krejt. Kjo është rëndësia e faktit kur analizon, por edhe rëndësia e tjetrit kur diskuton. E vërteta flet përmes liderit si shkencë e rol historik. E vërteta, pra, nuk buron as krijohet. Ajo zbret nga lart. E ku ma lart se goja e liderit”.