Lajme

Molenbeek – lagjja që la terrorizmin pas


Një nga lagjet e Brukselit, Molenbeek, duket se po “rilind”.

Nga një vend, ku u ngrit një celulë terroriste që planifikoi atentate, ku mbetën të vrarë 162 njerëz në Paris dhe Bruksel, banorët po përpiqen të “pastrojnë” imazhin e vendit ku jetojnë.

Gjashtë vjet më vonë, në rrugët e Molenbeek-ut, pronari i një bari rrëfen sesi nga një bar – në bodrumin e të cilit shkëmbente biseda me një mik, i cili i ishte bashkuar grupit terrorist në Siri – u shndërrua në një qendër komunitare.

Disa vite më parë, prona e tij ishte “vendstrehimi” perfekt, ku bashkë me klientët shikonte video nga Shteti Islamik.

Tashmë muret dhe dritaret e lokalit janë mbushur me zbukurime dhe vizatime nga fëmijët.

Por nëse lokali simbolizonte atë që kishte qenë Molenbeek, qendra komunitare tregon se çfarë po përpiqet të bëhet lagjja.

Qendra u hap nga banorët vendas në vitin 2018. Ajo u vjen në ndihmë fëmijëve, studentëve që kërkojnë punë dhe personave me aftësi të kufizuara.

“Ajo që ne bëjmë këtu, është e kundërta e asaj që bënë vëllezërit Abdeslam”, tha zonja Elabo, një punonjëse sociale.

Pas sulmeve të Parisit, Molenbeek iu nënshtrua një shqyrtimi intensiv global. Ekipet televizive, nga e gjithë bota, transmetojnë për ditë të tëra nga sheshi qendror i lagjes ose pranë lokalit, duke i bërë banorët të ndihen sikur po jetonin në një shesh filmi.

Gjashtë vite më vonë

Banorët e lagjes, gjashtë vjet më vonë, po përpiqen të rindërtojnë komunitetin e tyre, megjithëse ende përballen me të njëjtat probleme, si: varfëria, papunësia dhe krimi.

Megjithatë, sado që disa banorë duan të lënë pas stigmën e sulmeve, terroristët e Molenbeek-ut janë sërish në lajme.

Në gjykatë, akademikë, avokatë dhe zyrtarë kanë debatuar prej ditësh mbi edukimin e sulmuesve dhe të akuzuarve për bashkëpunim.

Disa të pandehur që po gjykohen në Paris do të dalin gjithashtu para një gjykate të Brukselit në shtator për sulmet në qytet në 2016.

Dhjetëra banorë të Molenbeek-ut, kryesisht të rinj, udhëtuan në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah grupeve të armatosura, si Fronti Nusra dhe ISIS në fillim të viteve 2010.

Nga 20 burrat e akuzuar në sulmet e Parisit, shtatë u rritën ose jetuan në Molenbeek. Kështu bëri një nga rekrutuesit kryesorë të ISIS në Evropë.

Kreu i policisë lokale, Luc Ysebaert, tha se rreth 50 persona ishin ende duke u monitoruar nga shërbimet e inteligjencës në zonë.

Që nga sulmet, qeveria ka dhënë grante të shumta për të përmirësuar jetën aty dhe për të zgjeruar mundësitë për të rinjtë e lagjes.

Një punonjës i të rinjve, në një nga qendrat kryesore të komunitetit në Molenbeek, Bachir Mrabet, tha se kishte filluar punëtoritë e shkrim-leximit të lajmeve pas sulmeve, si dhe seminare teatrale për të larguar tensionet.

Vullnetarët thonë se të rinjtë kanë nevojë për më shumë shembuj udhëzues nga banorët më të vjetër dhe të suksesshëm vendas.

Diversiteti i Molenbeek-ut

Banorët thonë se lagjja e Molenbeek-ut është unike, edhe pse mbetet një nga zonat më të varfra dhe më të populluara në Belgjikë.

Aty mund të gjesh shtetas shqiptarë, kongolezë, guineas, italianë, polakë dhe palestinezë.

Ndërsa kërcënimi terrorist është ulur, trafiku i kanabisit ka shpërthyer dhe po kështu kanë shpërthyer përleshjet e dhunshme mes bandave, tha shefi i policisë lokale, Ysebaert.

Gjatë pandemisë, shumë të rinj kanë braktisur shkollën, kanë hequr dorë nga sportet ose nuk shkojnë në qendrat komunitare, thonë punonjësit e të rinjve dhe banorët.

Ka pasur edhe disa histori suksesi. Vetëm disa muaj pas sulmeve, një sipërmarrës vendas, Ibrahim Ouassari, hapi një shkollë teknologjie.

Ajo është një nga sukseset më të mëdha teknologjike të Belgjikës, me degë në qytete të tjera belge, Holandë dhe Itali.

Marrë nga “The New York Times”, përshtatur për Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore