Lajme

Mohamed Al Fayed nën akuza për përdhunimin e pesë grave, punonjëse të Harrods


Ish-pronari i Harrods, Mohamed Al Fayed, është akuzuar se ka përdhunuar pesë gra dhe ka abuzuar seksualisht me të paktën 15 të tjera kur ato punonin në dyqanin luksoz.

Të paktën kështu rezulton sipas një hetimi të BBC-së.

Më shumë se 20 gra, të cilat të gjitha ishin ish-punonjëse të Fayed, thanë në një dokumentar të BBC-së se ishin sulmuar seksualisht nga ai dhe se Harrods mbuloi abuzimin.

Pronarët aktualë të dyqanit thanë se ishin “plotësisht të tmerruar” nga akuzat dhe u kërkuan falje viktimave.

Fayed, i cili shiti Harrods në vitin 2010, vdiq vitin e kaluar në moshën 94-vjeçare.

Nekrologjia e tij në The Guardian vuri në dukje se kishte akuza të përsëritura për ngacmim seksual nga anëtaret femra të stafit gjatë jetës së tij.

Në vitin 2009, Prokuroria vendosi të mos e akuzojë Fayed për pretendimin se ai kishte sulmuar seksualisht një vajzë 15-vjeçare në dyqan.

Në vitin 2013, ai u intervistua nga policia pasi një grua pretendoi se ai e kishte sulmuar seksualisht në apartamentin e tij në Park Lane pas një interviste pune.

Policia e rihapi rastin në vitin 2015, por nuk ndërmori asnjë veprim tjetër.

Fayed sakaq gjithmonë i ka mohuar akuzat.

Një grua i tha BBC-së se ishte përdhunuar kur ishte adoleshente në apartamentin e Fayed’s Park Lane.

“Mohamed Al Fayed ishte një përbindësh, një grabitqar seksual pa busull morale”, tha ajo për BBC.

Tre gra të tjera i thanë BBC-së se ishin përdhunuar nga ai në apartament.

Një grua e pestë, tha se Fayed e përdhunoi atë në apartamentin e tij në Villa Windsor në Paris dhe më pas e detyroi të lahej me dezinfektues.

Prodhuesit e dokumentarit thonë se gratë dolën përpara  kamerave pasi panë Fayed të portretizuar me simpati në serialin e Netflix The Crown.

Episodet në fjalë mbuluan marrëdhënien e Dianës, Princeshës së Uellsit me djalin e Fayed, Dodi, dhe vdekjen e tyre në një aksident automobilistik në vitin 1997.

Në një deklaratë, Harrods tha se “jemi krejtësisht të tmerruar nga akuzat për abuzim të kryera nga Mohamed Al Fayed. Këto ishin veprimet e një individi që kishte për qëllim të abuzonte me pushtetin e tij kudo që operonte dhe ne i dënojmë ato me termat më të ashpër”.

“Harrods i sotëm është një organizatë shumë e ndryshme nga ajo e zotëruar dhe e kontrolluar nga Al Fayed midis 1985 dhe 2010; është ai që kërkon të vendosë mirëqenien e punonjësve tanë në qendër të gjithçkaje që bëjmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore