Lajme

Modeli i dy gjermanive nuk iu pëlqen në Serbi: Mundëson Shqipërinë e Madhe dhe Serbinë e Vogël


Përmendja e zgjidhjes së problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë përmes modelit të dy gjermanive, ku shtetet do ta pranonin si realitet legal njëra tjetrën, por nuk do të detyroheshin në njohje reciproke për të nënshkruar marrëveshje, ka shqetësuar një pjesë të politikës dhe akademisë në Serbi.

I fundit, diplomati, Zoran Milivojeviç.

Ai duke folur për mediat serbe, theksoi se ky model “është plotësisht i pazbatueshëm në rastin e Kosovës dhe do të krijonte kushte për Shqipërinë e madhe dhe Serbinë e vogël”.

Theksoi se viti 2024, i cili përmendet si kufi për arritjen e një marrëveshje të Kosovës me Serbinë, “tregon ambiciet e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës”.

“Përmendja e vitit 2024 tregon ambiciet e administratës amerikane. Është vit zgjedhor dhe kjo sigurisht tregon se sa e rëndësishme është çështja e Kosovës”, pohon Milivojeviç.

“Pozicioni ndërkombëtar i Serbisë do të dobësohej. Njerëzit duhet të dinë se çfarë nënkupton kjo. Kjo do të thotë një Serbi më e vogël dhe ndryshe dhe një anëtare e re e Kombeve të Bashkuara pa Kosovën”, pohon politikani serb.

Ndryshe modelin e dy gjermanive, në një intervistë për Albanian Post, e ka parë si zgjidhje të mirë ish i dërguari special i SHBA-ve për bisedimet për statusin final të Kosovës, Frank Wisner.

Propozimi që telashet mes dy vendeve të zgjidhen nëpërmjet modelit të dy gjermanive, i rimodeluar për kontekstin aktual, është pikërisht shmangia nga tensioni e lufta potenciale.

“Zgjidhja gjermano-gjermane shmang luftën dhe larg luftës të gjithë duam të shkojmë”, pohoi ai në një intervistë për Albanian Post.

Wisner: Retorika për luftën mes Kosovës e Serbisë është iluzion i kotë – Asociacionin e ka paraparë Ahtisaari, duhet të themelohet

Modeli nuk është se është pranuar pa kritika edhe në Kosovë.

Sipas një pjese të madhe të opinioni publik dhe gjithashtu partive politike, ky model nuk i duhet Kosovës, sepse nuk ia siguron njohjen e menjëhershme.

I fundit që doli kundër është kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Edhe ai është që fillimisht të arrihet njohje e më pas të shkohet me çështje të tjera, ose ashtu siç e ka formuluar kryeministri, Albin Kurti, “njohja në qendër”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore