Shqipëria

Mocioni me “pak” debat


Seanca maratonë e mocionit me debat në Kuvendin e Shqipërisë ishte veçse një sprint.

Deputetët e opozitës kishin kërkuar më herët një debat parlamentar me kryeministrin shqiptar Edi Rama duke pretenduar se ai ishte i përfshirë me Charles McGonigal, një ish-zyrtar i lartë i kundërzbulimit të FBI-së.

McGonigal akuzohet në SHBA se ka fshehur nga FBI-ja detajet kyçe të një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017 me një ish-zyrtar të inteligjencës shqiptare, i cili dyshohet se i ka dhënë të paktën 225 mijë dollarë sipas raportimeve të mediave prestigjoze amerikane si “New York Times” apo “Washington Post”.

Rama mohoi të enjten se ai i kishte dhënë ryshfet ose i kishte dhënë trajtim preferencial ish-zyrtarit të lartë të kundërzbulimit të FBI-së, i cili është paditur në Shtetet e Bashkuara.

Kreu i Qeverisë i tha Parlamentit se opozita donte “të shfrytëzonte politikisht një proces ligjor në SHBA që nuk ka fare lidhje me Shqipërinë, qeverinë apo mua personalisht”.

“Associated Press” shkruan se McGonigal u takua me Ramën disa herë dhe kërkoi kujdes në dhënien e licencave të shpimit të fushës së naftës në vend për kompanitë ruse të frontit.

Rama i kishte pranuar takimet por mohoi akuzat për dhënien e parave apo trajtim preferencial.

“Në rreshtat e aktakuzës nuk ka asnjë akuzë apo ndonjë informacion tjetër përveç raportimit të saktë të takimeve të mia”, tha Rama.

Zhvillimi

Seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë nisi zyrtarisht me një minutë heshtje, në nder të tre grave, të mbetura të vrara pas një sulmi të përgjakshëm të ndërmarrë nga shtetasi Dan Hutra më 1 mars.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, mori fjalën i pari dhe parashtroi 30 pyetje lidhur me çështjen “McGonigal”.

Një fjalim prej 45 minutash e mbajti kryeministri Edi Rama, gjatë seancës plenare duke e quajtur “mocionin më absurd në histori”, dhe më pas u largua.

Kështu, duke mos i dhënë vlerë dhe rëndësi gjithë pretendimeve të opozitës dhe duke qartësuar se ndaj tij vetë, nuk ka asnjë akuzë, ndaj edhe kuptim nuk ka që ai të vijojë të qëndrojë në sallë.

Nga ana tjetër, ishte kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili hodhi akuza të forta ndaj Ramës.

Vetë Berisha tha se do të përpiqet të bëjë të pamundurën, që Ramës t’i heqë imunitetit diplomatik.

Kjo, pasi sipas tij, ky i fundit po fshihet pikërisht pas kësaj.

“Është e pashembullt që një kryeministër të vërë në dispozicion të tij, të gjithë shtetin, për të bërë luftën më monstruoze, më të turpshme kundër pluralizmit dhe opozitës”, vijoi më tej ai, duke hedhur akuza se lidhjet e Ramës me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal, kanë qenë pikërisht për shterimin e aksionit opozitar në vend.

Mirëpo, sipas kryeministrit, asgjë nuk qëndron, pasi ndaj tij nuk ka asgjë në aktakuzë, veç përmendjeve.

24 orë do të jetë seanca e sotme plenare në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, kushtuar çështjes së shumëpërfolur tashmë “McGonigal”.

Partia Demokratike e ish-presidentit dhe kryeministrit Sali Berisha dhe Partia e majtë e Lirisë e ish-presidentit Ilir Meta kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë që nga muaji i kaluar, me akuza për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe politika të dobëta ekonomike.

Opozita ka planifikuar një tjetër tubim kombëtar para ndërtesës së qeverisë të premten.

Në të njëjtën ditë, një gjykatë apeli do të vendosë se kush duhet të udhëheqë demokratët kryesorë të opozitës – Berisha apo Enkelejd Alibeaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore