Shqipëria

Mocioni me debat për McGonigal është më 2 mars, thotë Balla


Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste (PS), Taulant Balla, deklaroi se zhvillimi i mocionit me debat është dakordësuar për të qenë më 2 mars.

Reagimi i tij erdhi pas kërkesës së opozitës për të ndryshuar rendin e ditës për seancën e 23 shkurtit në Kuvend, që si pikë e parë të përfshihet çështja Rama-McGonigal.

Kërkesa është dorëzuar të mërkurën e 22 shkurtit nga përfaqësues të opozitës, duke vërejtur dokumentin e siguruar nga Albanian Post.

“Bazuar në Nenin 31 pika 2 dhe Nenin 98 të Rregullores së Kuvendit, një grup deputetësh të opozitës kërkojnë: ndryshimin e Rendit të Ditës; përfshirjen si pikë e parë e Rendit të Ditës të një Mocioni me Debat për çështjen e mësipërme dhe që debati të jetë me kohë të pakufizuar.

Sipas tyre, çdo deputet të ketë një kohë minimalisht prej 10 minutash për të diskutuar.

“Lidhur me mocionin me debat, është vendosur data 2. Më duket qesharake që ju të mos pranoni datën 2 por të spostoni sot duke e ditur shumë mirë që kryeministri ndodhet në vizitë zyrtare në Japoni”, u shpreh fillimisht Balla.

Sipas tij, në pamundësi për t’u zhvilluar më 23 shkurt, debati do të zhvillohet me datën 2 mars sipas të gjitha kërkesave përfshirë dhe kohën e zhvillimit të debatit.

“Çdo deputet mund të marrë fjalën jo më shumë se 10 minuta. Ky do të jetë debati më i gjatë i zhvilluar në historinë e Kuvendit të Shqipërisë”, shtoi ai.

Në përmbyllje të fjalës, Balla vërejti se kjo seancë nuk ka të bëjë me komisionin hetimor apo me debatin McGonigal, por është “një përpjekje e PD-së për të intimiduar drejtësinë”.

Më 2 mars të gjithë deputetët do të mbajnë fjalën e tyre sa i takon çështjes së shumëpërfolur “McGonigal”.

Kështu u votua në Kuvendin e Shqipërisë, teksa u tha se në mocion është e përfshirë edhe interpelanca me kryeministrin Edi Rama.

Mazhoranca ka bërë me dije se Rama, do të jetë i pranishëm atë ditë në sallën e Kuvendit.

Seanca do të zgjasë 12 orë, që të paktën çdo deputet i Republikës të ketë pesë minuta kohë në foltore.

McGonigal dhe kërkesa e opozitës

Opozita e akuzon Ramën se “ka korruptuar Charles McGonigal”, një ish-zyrtar i lartë i kundërzbulimit të FBI-së.

Ky i fundit, akuzohet në Shtetet e Bashkuara se ka fshehur nga FBI-ja detajet e një udhëtimi në Shqipëri në vitin 2017 me një ish-zyrtar të inteligjencës shqiptare, i cili dyshohet se i kishte dhënë të paktën 225 mijë dollarë.

Vetë Rama e ka pranuar takimin me McGonigal, por ka mohuar akuzat se i ka dhënë para ose trajtim preferencial.

Por mesa duket opozita nuk është e bindur dhe kërkoi fillimisht që vetë kryeministri të ishte i pranishëm në një interpelancë.

Për mazhorancën kjo interpelancë e kërkuar nga opozita, ishte fillimisht e ezauruar me përgjigjet e ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali – e zgjedhur nga numri një i Qeverisë si përfaqësuesja e tij.

Por, teksa kërkesa opozitare për “ballafaqim me vetë Ramën” nuk ndodhi ata vazhdojnë të kërkojnë një mocion me debat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore