Vende

Misteri antik i “Portës së Ferrit” në qytetin Hierapolis


Në Pamukkale, në Turqinë perëndimore, një formacion i madh me shkëmbinj qëndron si kullë mbi rrafshin përreth. Mali shkëlqyes me gur gëlqeror të ngurtësuar në luginë, të rrudhur me stalaktite të ngrira dhe i ndërthurrur me qindra pellgje ujërash me gaz.

Këto formacione që tejkalojnë bukurinë e kësaj bote janë travertina, shkëmbinj gëlqeror që janë krijuar ngadalë për më shumë se 400,000 vjet nga gugullimat e burimeve minerale,

Uji bie poshtë kodrës, dhe lë pas depozita të mëdha karbonati të bardhë të ndritshëm të kalciumit, që është gati 3 kilometra i gjatë, dhe 160 metra i lartë.

Hierapolis si qytet ishte themeluar nga mbretërit Attlaid të Pergamon-it në fund të shekullit të dytë p.e.s, para se të pushtohej nga perandoria romake. Nën sundimin romak u bë një qytet lulëzues me banja klimaterike; dhe që nga shekulli i III-të, vizitohej nga e gjithë perandoria për shkak të bukurisë, peisazhit, dhe ujërave që besohej të ishin shërues.

Suksesi i qytetit është ende i dukshëm në portën e tij mbresëlënëse me hark, rrugën kryesore të kolonaduar dhe amfiteatrin e tij të restauruar bukur, të gjitha të ndërtuara nga i njëjti travertin lokal që shkëlqen i artë nën diellin e nxehtë turk.

“Ujërat termal me gjasë janë arsyeja parësore për themelimin e qytetit”, ka thënë Dr Sarah Yeomans, arkeologe në Universitetin e Kalifornisë së Jugut e cila ka specializuar në Perandorinë Romake.

“Nga mesi i Shekullit të 2-të, Hierapolis do të kishte qenë një qytet i bukur, dhe aktiv me banjën, me atë që unë imagjinoj se ishte një popullsi më dinamike dhe e larmishme se shumica e vendeve tjera, duke pasur parasysh popullaritetin e vendeve të tilla me vizitorë”.

Por Hierapolis ishte i njohur gjithashtu në të gjithë botën romake edhe për një arsye tjetër, më të keqe. Thuhej se ishte vendndodhja e një “Porte të Ferrit”, një hyrje për në botën e nëndheshme, ku fryma toksike e trekrenës Cerberus doli nga toka, duke marrur viktima në emrin e zotit të tij, zotit Pluton.

Një vend i shenjtë – Ploutonion – u ndërtua në këtë vend, dhe pelegrinë udhëtuan nga i gjithë rajoni për të paguar priftërinjtë e tempullit dhe për t’i bërë flijime Plutonit në emër të tyre.

Shkrimtarët antikë si Pliny i Vjetri, dhe gjeografi grek Strabo, i përshkruajnë këto flijime si spektakle të fuqishme. Priftërinj i çonin kafshët në faltore, dhe si të ishte vetë dora e zotit, kafshët vdisnin në moment, dhe prifti dilte gjallë. Strabo shkruan se “hodha brenda harabela, dhe menjëherë dhanë frymën e fundit”.

Këto çështje antike e intriguan edhe biologun e vullkaneve Hardy Pfanz, nga Universiteti i Duisburg-ut në Gjermani, i cili studion gazërat gjeogjenike – ose gazërat që lëshohen nga proceset gjeologjike.

“Kur lexoja përshkrimet nga shkrimtarët antikë, fillova të mendoj se a mund të ketë shpjegime shkencore për ta? A mundet kjo Portë e Ferrit të jetë vrimë vullkanike?”, tha ai.

I etur për ta testuar teorinë e tij, Pfanz udhëtoi për në Hierapolis në 2013-ën. “Nuk ishim të sigurt se çfarë do të gjenim. Mund të kishte qenë vetëm trillim, mund të kishte qenë hiçasgjë. Nuk e besuam se do të gjenim përgjigje aq shpejtë”, tha ai.

“Ne pamë shumë krijesa të vdekura rreth portës së hyrjes: minj, zogj, korbë, dhe insekte tjera. Dhe e kuptuam aty për aty, që ato tregime, ishin në fakt, të vërteta”.

Kur Pfanz provoi ajrin rreth ajrit me një analizues të gazit portativ, ai zbuloi arsyen: nivelet toksike të dioksidit të karbonit. Ajri normal përmban vetëm 0,04% CO2 por Pfanz u trondit kur zbuloi se përqendrimi rreth këtij vendi të shenjtë arrinte shifra marramendëse prej 80%.

“Vetëm disa minuta ekspozim ndaj 10% dioksid karboni mund t’ju vrasë”, tha ai, “kështu që nivelet këtu janë vërtet vdekjeprurëse”.

Këto nivele ultra të larta të dioksidit të karbonit janë shkaktuar nga i njëjti sistem gjeologjik që krijoi burimet e nxehta të zonës dhe tarracat dramatike të travertinës.

Hierapolis është ndërtuar mbi thyerjen Pamukkale, një zonë e prishur tektonike aktive me gjatësi 35 km ku çarjet në koren e Tokës lejojnë që uji i pasur me minerale dhe gazrat vdekjeprurëse të dalin në sipërfaqe. Njëri prej tyre shkon direkt nën qendër të qytetit dhe në Ploutonion.

“Pothuajse me siguri zgjedhja e vendndodhjes së Ploutonion ishte e lidhur drejtpërdrejt me gypat sizmik të gazit që ekzistojnë këtu,” tha Yeomans.

“Duke qenë se bota e nëndheshme dhe hyjnitë dhe mitet që lidheshin me të ishin një pjesë e rëndësishme e etosit të tyre fetar, ka kuptim që ata do të ndërtonin tempuj dhe faltore në vendet që evokonin më shumë botën që ata besonin se qëndronin nën këmbët e tyre”.

Por afërsia e tillë me forcat e natyrës erdhi me një çmim: një zonë e prishur aktive shkakton edhe tërmete, të cilat e rrafshuan qytetin në 17 pas Krishtit, 60 pas Krishtit dhe përsëri në Shekujt 17 dhe 14. Përfundimisht, Hierapolis u braktis.

Por Pfanz ishte ende i mistifikuar nga një gjë: nëse kjo zonë është kaq vdekjeprurëse, pse priftërinjtë në Ploutonion nuk vdiqën gjithashtu?

Ai u kthye në Hierapolis vitin e ardhshëm dhe këtë herë ai studioi përqendrimet e gazit në kohë të ndryshme të ditës. “Ne vumë re se gjatë ditës, kur është e ngrohtë dhe me diell, dioksidi i karbonit shpërndahet shpejt,” tha ai. “Por sepse dioksidi i karbonit është më i rëndë se ajri, natën kur është më i freskët ai grumbullohet në arenë, duke krijuar një liqen vdekjeprurës të gazit në nivelin e tokës.”

Përfundimi i tij: kafshët, me hundët e tyre afër tokës, u mbytën shpejt në këtë re toksike, por priftërinjtë, duke qëndruar më lart, po merrnin frymë me nivele shumë më të ulëta të CO2 dhe ishin në gjendje të mbijetonin.

“Kuptova se kishim zgjidhur këtë mister antik, ishte një ndjenjë fantastike”, tha Pfanz.

Përkthyer dhe përshtatur prej BBC-së, nga Albanian Post.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore