Kosova

Misioni rus në OSBE: Rezultati i dialogut Kosovë-Serbi duhet të jetë në interes të popullit serb


Ilustrim

Zëvendës Shefi i Misionit të Rusisë në OSBE, Maksim Bujakeviç, gjatë një seance të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, ka thënë se qëndrimi i Rusisë për çështjen e Kosovës mbetet i pandryshuar.

Sipas Bukajeviç, Rusia në kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi është për arritjen e një zgjidhjeje ligjore, ndërkombëtarisht të qëndrueshme, të pranueshme reciprokisht, bazuar në Rezolutën 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Rezultati duhet të jetë në interes të popullit serb dhe të miratohet nga KS i OKB-së”, ka thënë Bujakeviç, në seancën e Këshillit të Përhershëm të OSBE-së ku edhe u shpalos një raport i kësaj organizate.

Në anën tjetër Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovës, Michael Davenport, duke shpalosur raportin e OSBE-së tha se është krenar me ç’është arritur.

“Kam raportuar për punën e Misionit në tre fusha kryesore – sigurinë publike, komunitetin dhe të drejtat e njeriut, dhe demokratizimin. Jemi veçanërisht krenarë që kemi ndihmuar në krijimin e një konsensusi mbi draft reformën e ligjit zgjedhor bazuar në rekomandimet e disa misioneve ndërkombëtare”, ka thënë Davenport.

Në takimin e radhës së nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, miratuan deklaratën për Personat e Pagjetur dhe u njoftuan me draft-statutin e parë për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, e cila u prezantua nga Ekipi Menaxhues për hartimin e draft-statutit të këtij mekanizmi i udhëhequr nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiç.

Pas takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se drafti i statutit i prezantuar të martën në Bruksel nga ekipi në fjalë është i papranueshëm, meqë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës pasi prezanton qartësisht një dëshirë për Republika Srpska në Kosovë.

Mu për këtë arsye i pari i qeverisë ka thënë se Ekipi Menaxhues është dekomisionuar, pas propozimit të draftstatutit.

Prandaj, një ditë më pas, saktësisht më 3 maj ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, njoftoi se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit.

Krasniqi tha, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore