Lajme

Misioni i NASA-s pritet të ofrojë një pamje të paprecedentë të sipërfaqes ujore të Tokës


Një mision satelitor ndërkombëtar i udhëhequr nga NASA është nisur nga Kalifornia si pjesë e një projekti të madh shkencor për të kryer një studim gjithëpërfshirës të oqeaneve, liqeneve dhe lumenjve të botës.

Diçka që ndodh për herë të parë.

I quajtur Swot, sateliti i avancuar është projektuar për t’u dhënë shkencëtarëve një pamje të paprecedentë të lëngut jetëdhënës që mbulon 70 për qind të planetit.

Pritet që ai të hedhë dritë mbi mekanikën dhe pasojat e ndryshimeve klimatike.

Një raketë Falcon 9, operuar nga kompania SpaceX, ishte vendosur të ngrihej para agimit të enjten nga baza e forcave hapësinore amerikane Vandenberg, rreth 170 milje në veri-perëndim të Los Angeles-it, për të transportuar në orbitë Swot-in.

Sateliti, nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, do të prodhojë të dhëna kërkimore brenda disa muajsh.

Prej 20 vitesh në zhvillim, Swot përfshin teknologji të avancuar që shkencëtarët thonë se do të mbledhë matjet e sipërfaqes së oqeaneve, liqeneve, rezervuarëve dhe lumenjve në detaje me definicion të lartë mbi 90 për qind të globit.

“Është vërtet misioni i parë për të vëzhguar pothuajse të gjithë ujin në sipërfaqen e planetit”, ka thënë Ben Hamlington, një shkencëtar në Laboratorin Jet Propulsion të NASA-s (JPL).

Sakaq, një shtysë kryesore e misionit është të eksplorojë se si oqeanet thithin nxehtësinë atmosferike dhe dioksidin e karbonit në një proces natyror që moderon temperaturat globale dhe ndryshimet klimatike.

Duke skanuar detet nga orbita, Swot është projektuar për të matur me saktësi dallimet e imta në lartësitë sipërfaqësore rreth rrymave dhe vorbullave më të vogla, ku besohet se ndodh pjesa më e madhe e tërheqjes së nxehtësisë dhe karbonit nga oqeanet.

Sateliti pritet ta bëjë këtë me rezolucion dhjetë herë më të madh se teknologjitë ekzistuese.

Vlerësohet se oqeanet kanë thithur më shumë se 90 për qind të nxehtësisë së tepërt të bllokuar në atmosferën e Tokës nga emetimet e gazrave serrë të shkaktuara nga njeriu.

Ndërkohë, aftësia e Swot për të dalluar veçoritë më të vogla të sipërfaqes përdoret edhe për të studiuar ndikimin e rritjes së niveleve të oqeanit në vijat bregdetare.

Dhe këto të dhëna më të sakta përgjatë zonave të baticës do të ndihmonin në parashikimin se sa larg mund të depërtojnë përmbytjet nga stuhia në brendësi të tokës, si dhe shtrirja e depërtimit të ujërave të kripura në grykëderdhje dhe ligatina.

Gjatë misionit trevjeçar të Swot-it, marrja e inventarit të burimeve ujore të Tokës në mënyrë të përsëritur do t’u mundësojë studiuesve të gjurmojnë më mirë luhatjet në lumenjtë dhe liqenet e planetit gjatë ndryshimeve sezonale dhe ngjarjeve të mëdha të motit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore