Lajme

Mirë se vjen Siri! Pse Arabia Saudite kërkon afrimin me Bashar al Asad?


Epoka e izolimit për Sirinë e presidentit Bashar al Asad duket se ka përfunduar edhe nga Arabia Saudite, një nga vendet që në vitin 2011 mori iniciativën për të prishur lidhjet me Damaskun dhe për ta përjashtuar atë nga Liga Arabe.

Në vitin 2011, shtetet arabe e dëbuan Sirinë nga Liga Arabe për shkak të shtypjes brutale të regjimit të Asad-it, krimeve dhe mizorive të tij kundër shtetasve sirianë.

Në vitet e para të luftës Riadi, dhe jo vetëm ai, investoi në grupet rebele islamiste në opozitë me regjimin.

Por kur vala e luftës civile u kthye në favor të Asad-it, Alepo ra në duart e regjimit, vendet arabe filluan të rivlerësojnë pozicionin e tyre në kundërshtim ndaj sundimit të tij.

Gjithashtu, në këtë pikë, shtetet arabe nuk duan që Siria të kthehet tërësisht në një shtet të dështuar. Nëse do të arrihej në atë situatë, revolta brenda Sirisë mund të shpërthejë sërish me një situatë të përkeqësuar dhe të ketë një efekt ngjitës edhe në vendet e tjera në rajon.

Të parët ndër shtetet arabe që rinovuan marrëdhëniet me regjimin e Asad-it ishin Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini.

Menjëherë pas kësaj, ishte Omani ai që e ktheu ambasadorin e tij në Siri në vitin 2020. Ambasadori i Sulltanit u tërhoq nga Siria në vitin 2012, por pavarësisht kësaj, Omani nuk i ndërpreu kurrë marrëdhëniet diplomatike me Damaskun.

Pas tërmetit të shkurtit të këtij viti që preku Turqinë dhe Sirinë, Ministri i Jashtëm jordanez, i ndjekur nga homologu i tij egjiptian vizituan vendin. Egjipti i është afruar Damaskut prej vitesh, por qëllimi tashmë është zyrtar.

Emiratet e Bashkuara Arabe e kanë vlerësuar gjithmonë shumë të rëndësishëm të qenin pjesë e rindërtimit të Sirisë. Kjo dhe një nga arsyet pse kanë kundërshtuar ashpër Caesar Act të SHBA-ve, i cili e bën të vështirë për biznesmenët e Emirateve të Bashkuara Arabe të operojnë në Siri.

Caesar Act është ligji amerikan që sanksionon qeverinë siriane, përfshirë presidentin sirian Bashar al-Asad, për krime lufte kundër popullatës siriane. Ligji hyri në fuqi në vitin 2020.

Më 18 mars, Presidenti Asad u mirëprit në Abu Dhabi nga homologu i tij nga Emiratet, Mohammad bin Zayed. Kjo ishte vizita e tij e parë në një vend arab që nga fillimi i luftës në Siri.

Dhe më 2 prill, agjencia e lajmeve “Reuters” njoftoi se Arabia Saudite po planifikon të ftojë presidentin sirian Bashar al-Asad në një samit të Ligës Arabe që Riadi që do të mbajë në maj.

Pse Asadi do të donte këtë qasje?

Bashar al Asad tani pas 12 vitesh të një lufte të egër të brendshme kontrollon rreth 60% të territorit të tij, kriza ekonomike që ka prekur Sirinë vazhdon të përkeqësohet dhe konflikti tani për tani mund të quhet vetëm i ngrirë. Është mëse e sigurt që ai nuk ka mundësi për të rindërtuar vendin e shkatërruar.

Dhe madje edhe aleatët e tij, Rusia dhe Irani, të cilët kanë arritur të sigurojnë mbijetesën e regjimit, për shkak të vështirësive në të cilat ndodhen vetë, nuk mund të jenë mbështetës në drejtim të rimëkëmbjes ekonomike.

Vendet perëndimore as që e mendojnë të kontribuojnë në rindërtim nëse nuk zbatohen reforma të rëndësishme politike dhe sociale.

Prandaj, shtetet e Gjirit janë bërë burimi më i rëndësishëm për zbutjen e krizës ekonomike dhe transferimin e fondeve për rindërtim.

Tërmeti i shkurtit të kaluar në Turqi dhe Siri shkatërroi të dy vendet. Dhe në mënyrë paradoksale ai hapi mundësi të reja për presidentin sirian Bashar al-Asad, i cili ka kërkuar të përdorë tragjedinë për të bindur shtetet arabe që të rivendosin marrëdhëniet me Damaskun dhe të shtyjë për t’i dhënë fund sanksioneve kundër qeverisë së tij, në këmbim të hapjes së pikave të kalimit për përcjelljen e ndihmave humanitare.

Rivendosja e marrëdhënieve me vendet e Gjirit, duke iu bashkuar Ligës Arabe, i hap rrugën Asad-it për legjitimitet arab, ndoshta duke e bërë atë më të fortë edhe përballë aleatëve të tij në Siri. Dhe kush e di, nëse kjo nuk do të hapte rrugën edhe për marrëdhëniet me disa vende perëndimore.

Në çfarë konteksti bëhet ftesa për takim në Ligën Arabe?

Përpjekjet e para për të ndërtuar lidhje midis Arabisë Saudite dhe Sirisë së Asad-it datojnë në fillim të majit të vitit të kaluar, kur një delegacion saudit i udhëhequr nga shefi i inteligjencës Khaled Hamidan u raportua se kishte vizituar Damaskun dhe u takua me Asad-in dhe me  shefin e inteligjencës siriane, gjeneralin Ali Mamlouk.

Por lajmi i ftesës tani vjen pothuaj në të njëjtën kohë kur rifillojnë marrëdhëniet midis Arabisë Saudite dhe Republikës Islamike të Iranit.

Marrëveshja e Iranit me Arabinë Saudite

Më 10 mars, Irani dhe Arabia Saudite arritën një marrëveshje për të rivendosur marrëdhëniet e ndërprera në vitin 2016 pas ekzekutimit të liderit shiit Nimr al-Nimr, i cili u ekzekutua nga sauditët me 46 të tjerë.

Marrëveshja mes dy fuqive të Lindjes së Mesme u finalizua në Kinë, ku negociatat mes dy palëve kishin nisur prej kohësh.

Ngjarja, padyshim, bëri bujë dhe ishte e papritur. Pavarësisht se kinezët morën meritat për negociatat, dialogu rajonal filloi në janar 2021 në kontekstin e normalizimit të një sërë marrëdhëniesh midis Iranit dhe vendeve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, të cilat panë, gjatë dy viteve, rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës Islamike dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Kuvajtit.

Në dy vitet e mëparshme, rolin e ndërmjetësit midis Iranit dhe vendeve të Gjirit e morën Omani dhe Iraku. Ky i fundit organizoi pesë raundet e negociatave që i paraprinë finalizimit të marrëveshjes mes Iranit dhe Arabisë Saudite.

Kina hyn në skenë në një kohë krize të ndërmjetësimit nga ana e Irakut.

Ideja për të përfshirë në mënyrë aktive Kinën në një përpjekje për të rifilluar negociatat duket se ka ardhur nga Riadi dhe iu komunikua presidentit kinez Xi Jinping gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite dhjetorin e kaluar.

Për Iranin, marrëveshja është një mënyrë për të dalë nga izolimi i pjesshëm dhe për t’u përpjekur të ri-legjitimohet në aspektin e politikës së jashtme pas shtypjes së protestave në vend.

Nuk ka shpresë që Riadi dhe Teherani të kthehen në partner. Ata do të vazhdojnë të jenë rivalë dhe të konkurrojnë në rajon, por kanë zgjedhur vetëm të lehtësojnë konfrontimin në të cilin kanë qenë deri më tani.

Pse Arabia Saudite dëshiron afrimin me Asad-in?

Nga përfshirja e Riadit në konfliktin e Jemenit deri te vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi, ardhja në pushtet e princit të Mbretërisë saudite, Mohammed bin Salman, sundimtarit de fakto të Arabisë Saudite, është shënuar nga skandali dhe papara shikueshmëria.

Dhe pas pajtimit me Iranin, Riadi tani dëshiron të jetë në krye të përpjekjeve për të qetësuar zonat e konfliktit rajonal, si Siria, dhe për të arritur sigurinë e tij me synimin për t’u fokusuar në zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

Arabia Saudite shënon aktualisht rritje ekonomike rekord në sektorët e naftës dhe jo-naftës, e ndihmuar edhe nga lufta në Ukrainë, duke forcuar kështu projektet e diversifikimit ekonomik të planit “Vizioni 2030”.

“Vizioni 2030” është plani i transformimit ekonomik “përtej hidrokarbureve” të mbretërisë.

Infrastruktura dhe turizmi janë gjithmonë në qendër të investimeve saudite, së bashku me masat për të rritur atraktivitetin e vendit dhe, ndoshta, produktivitetin e brendshëm.

Mbretëria synon të krijojë katër fonde investimi, që arrijnë në 10 miliardë rialë sauditë, për promovimin e projekteve komerciale, turistike dhe rezidenciale.

Arabia Saudite ka hapur gjithashtu një fond investimi për industrinë e kulturës, turizmit, sportit dhe argëtimit, Fondin e Investimeve të Ngjarjeve.

Për të ndërkombëtarizuar më tej investimet dhe flukset turistike, qeveria ka njoftuar lindjen e një linje të re ajrore kombëtare, Riyadh Air.

Transformimi socio-ekonomik i mbretërisë kërkon qartësisht stabilitet rajonal dhe përqendrim në politikat e brendshme.

Ndërsa e dimë se si vajti lufta në Siri, është e qartë se Rusia dhe Irani kanë fituar në mbështetjen e tyre për Bashar al Asad. Duke pasur parasysh ndikimin e këtij të fundit në Siri, Liban me Hezbollah-un, Irak dhe Jemen, ka ardhur koha që sauditët të ulin presionin dhe të nisin rrugën e diplomacisë.

Një nga arsyet për këtë lëvizje mund të jetë edhe çështje ideologjike. Duke mos pasur më kontroll mbi grupet rebele brenda Sirisë dhe duke qenë se me kalimin e kohës këto grupe bëhen më islamiste, shtetet arabe që angazhohen në këtë hapje me Damaskun duan të sigurohen që këto forca islamiste mund të frenohen dhe të mposhten, dhe kështu të mos përhapen në vendet e tyre.

Fakti që regjimi i Asad-it ka mundur ekstremistët islamikë në Idlib dhe opozitën, pjesë e së cilës përfshinte elementë të Vëllazërisë Myslimane, për vendet e tjera është faktor qetësues.

Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite dhe Egjipti e kanë cilësuar Vëllazërinë Myslimane si organizatë terroriste.

Dhe arsye e fundit, por jo më pak e rëndësishme, pse Arabia Saudite po kërkon të fillojë marrëdhëniet me Asad-in është përhapja e paprecedentë e Kaptagon-it, një nga narkotikët që jep varësi të madhe, i cili prodhohet në Siri me përfshirjen e qartë të regjimit dhe organeve të tij të sigurisë.

Kaptagon, arsye qendrore

Pak u dëgjua për këtë drogë në vitin 2015, kur u gjet në mesin e disa anëtarëve të ISIS (Shtetit Islamik) deri më 29 mars, kur SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar, në përpjekje për t’i dërguar një mesazh shteteve të Gjirit të vendosura për të normalizuar marrëdhëniet me qeverinë siriane, sanksionuan katër sirianë, duke përfshirë të afërm të familjes së Bashar al Asad-it, dy libanezë dhe dy entitete të përfshirë në prodhimin dhe trafikimin e paligjshëm të amfetaminave Kaptagon.

Droga sintetike me bazë amfetaminën, e njohur si Kaptagon, u quajt “droga xhihadiste” për shkak të përdorimit të saj nga anëtarët e grupit të Shtetit Islamik gjatë luftës në Siri.

Tani ajo është bërë droga e zgjedhur nga të rinjtë në shtetet e Gjirit për përdorim rekreativ dhe është kthyer në një problem serioz social.

Kaptagon-i është kështu një burim i madh të ardhurash për regjimin e Asad-it, por edhe një kërcënim i drejtpërdrejtë për vendet e zonës.

Forcat jordaneze të sigurisë kanë luftuar me trafikantët e drogës përgjatë kufirit me Sirinë në vitet e fundit dhe autoritetet saudite kanë sekuestruar miliona pilula Kaptagon të fshehura në fruta dhe perime.

Shpresa është që në këmbim të miliarda dollarëve ndihmë, regjimi i Asad-it do të zvogëlojë përfshirjen e tij në trafikun e drogës.

Vërtetë ka ndërmend Asad-i të heqë dorë nga prodhimi dhe kontrabanda e Kaptagon-it?

Prodhimi dhe trafikimi i kësaj droge sintetike të përbërë nga fenetiline është bërë shpëtimi për regjimin sirian gjatë rrjedhës së luftës që nga viti 2011.

Sipas analistëve, Siria është bërë një narko-shtet i vërtetë, përgjegjës për 80 për qind të furnizimit të Kaptagon-it, i cili përbën të paktën trefishin e buxhetit të saj kombëtar.

Prodhimi i Kaptagon-it është shfaqur si burimi kryesor i këmbimit valutor për rrethin e Asad-it. Sipas disa vlerësimeve, shitja e Kaptagon-it fiton më shumë se të gjitha eksportet e tjera legale të Sirisë së bashku.

Sipas Ministrisë së Jashtme Britanike, flitet për fitime prej 57 miliardë dollarësh në vit, që është “ekuivalenti i trefishit të trafikut të drogës së karteleve meksikane”.

Në bazë të lajmeve në media duket se Arabia Saudite e ka bërë frenimin e prodhimit të Kaptagon-it një parakusht për normalizimin me Asad-in, i cili thuhet është ofruar të ndërmarrë hapa për ta bërë këtë “si një gjest i vullnetit të tij të mirë”.

Por në lidhje me një premtim nga Asad-i, Jordania e ka paguar tashmë çmimin e mos besueshmërisë. Të pajtuar me Sirinë në vitin 2021, me shpresën për të parë uljen e trafikimit të Kaptagon-it, në realitet autoritetet jordaneze kanë raportuar një rritje prej 50 për qind të konfiskimeve.

Ushtria jordaneze, për shembull, kapi 361 përpjekje për të kontrabanduar pilula Kaptagon-i përtej kufirit të saj në vitin 2021, duke rezultuar në vdekjen e disa rojeve kufitare jordaneze.

Pra, nuk ka gjasa që Riadi të jetë shumë i suksesshëm në këtë drejtim. Aq më tepër që tregu saudit është gjithashtu një treg fitimprurës ku një pilulë mund të shitet katër herë më shumë se në tregjet e tjera.

Në çdo rast, Damasku e di se normalizimi me Riadin mund t’i hapë dyert botës arabe, ndaj do të jetë i kujdesshëm që të bëjë një shfaqje të të paktën disa veprave të mira të kapjes së rreme të ngarkesave të drogës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore